Get Even More Visitors To Your Blog, Upgrade To A Business Listing >>

Deputetët shqiptarë, me çarter drejt Francës për Europianin

Tags: tatildelaquo

Kampionati Europian dhe pjesëmarrja në të për herë të parë e kombëtares tonë të futbollit ka rritur interesin e shqiptarëve, të cilët dy ditë më parë kishin mbushur pjesën dërmuese të stadiumit të Lensit, ku Shqipëria u ndesh me Zvicrën.

Pjesë e tifozëve në shkallët e stadiumit u bënë edhe shumë ministra, deputetë e politikanë shqiptarë, të pasionuar pas futbollit.

Një pjesë e mirë e tyre kanë postuar në rrjetet sociale edhe foto nga atmosfera në stadium, ndërsa një pjesë tjetër është treguar e rezervuar për shkak edhe të interpretimeve në opinion apo edhe deklarimit të shpenzimeve të përdorura për këtë udhëtim të kushtueshëm.

Kështu listën e atyre që udhëtuan drejt Francës për të parë ndeshjen e kryeson kryeministri Edi Rama.

Ai qëndroi në Francë që nga dita e enjte fill pas seancës së shkuar parlamentare.

Krahas tij vet qeveria ka bërë me dije para disa ditësh se edhe dy ministra të tjerë të këtij kabineti kanë udhëtuar drejt Francës për të ndjekur kombëtaren tonë.

Përveç tyre, në shkallët e stadiumit kanë qenë edhe një numër i madh deputetësh, lista e të cilëve kryesohen nga dy krerët e grupeve të mëdha parlamentare, Gramoz Ruçi dhe Edi Paloka.

Gjithashtu, të pranishëm kanë qenë edhe deputetët, Xhemal Qefalia, Arben Çuko dhe Taulant Balla, të cilët kanë qenë në shoqërinë edhe të djemve të tyre.

Këtë fakt, ata e kanë bërë të ditur vet duke postuar foto me fëmijët e tyre nga rrugët e Lens dhe shkallët e stadiumit.

Në Francë për të ndjekur kombëtaren dhe Kampionatin Europian ndodhet edhe deputeti i LSI-së, Ylli Shehu.

Nga opozita përveç kryetarit të grupit kanë qenë edhe deputeti Keltis Kruja, i cili ka qenë në shoqërinë e kryetarit të Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu.

Nuk kanë munguar të jenë në Francë edhe deputetet femra, një prej të cilave është edhe Mesila Doda, e cila ka udhëtuar familjarisht.

Menjëherë pas seancës të së enjtes së shkuar, një pjesë e deputetëve u organizuan duke porositur edhe një fluturim çarter, direkt nga Shqipëria për në Francë.

Burime nga dy forcat kryesore politike, raporton Mapo, kanë bërë të ditur se një pjesë e mirë e deputetëve kanë fluturuar drejt Francës me një fluturim të përbashkët çarter, me të cilin kanë udhëtuar edhe tifozë të tjerë shqiptarë.

Kjo, për të shmangur si shpenzimet e mëdha që do duhen nëpërmjet linjave standarde, ashtu edhe për të lëvizur më shpejt.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije po ashtu se deputetët kanë parashikuar që edhe kthimin ta bëjnë sërish me një fluturim çarter.



This post first appeared on Lajmi Fundit Nga Shqiperia| Lajme Nga Futbolli| Lajmet Shqip Nga Kosova, please read the originial post: here

Share the post

Deputetët shqiptarë, me çarter drejt Francës për Europianin

×

Subscribe to Lajmi Fundit Nga Shqiperia| Lajme Nga Futbolli| Lajmet Shqip Nga Kosova

Get updates delivered right to your inbox!

Thank you for your subscription

×