Get Even More Visitors To Your Blog, Upgrade To A Business Listing >>

“Burri më rreh e përdhunon pas 17 vitesh martesë”

Tags: meuml

TIRANË- Dhuna në familje vijon të jetë prezente në forma nga më të ndryshmet në familjet shqiptare, dhe sidomos ndaj grave. Kjo gjë vërtetohet edhe nga numri i lartë i urdhrave të mbrojtjes që lëshohen nga gjykata për gratë e dhunuara. Sipas të dhënave të dy viteve të fundit, Gjykata e Tiranës lëshon minimalisht dy deri në tre urdhra mbrojtjeje në ditë ndaj grave të dhunuara.

Sipas statistikave nga Gjykata e Tiranës, totali vjetor për vitin 2015 është 640 urdhra mbrojtjeje. Ndërkohë që për vitin 2014, shifrat janë më alarmante, pasi sipas të dhënave nga Gjykata e Tiranës, kanë qenë 860 urdhra mbrojtjeje për gratë e dhunuara. Kjo shifër është mjaft e lartë duke pasur parasysh numrin e popullatës në vendin tonë, por që fatkeqësisht kjo shifër është shumë herë më e madhe, pasi një pjesë e konsiderueshme e rasteve të dhunës ndaj grave nuk raportohen apo denoncohen.

Sipas të dhënave të Gjykatës së Tiranës, grupmosha e grave që kanë kërkuar urdhrin e mbrojtjes është nga 20-45 vjeçe, shumica me arsim minimal dhe pa asnjë profesion. Ndërkohë që flitet shumë si nga institucionet shtetërore, ashtu edhe nga shoqatat e ndryshme për nisma dhe aktivitete kundër dhunës ndaj grave, fatkeqësisht faktet janë kokëforta dhe konfirmojnë nevojën e politikave apo masave të tjera për parandalimin e këtij fenomeni. Duke nisur që nga e drejta e pronës, sepse gratë e dhunuara, edhe pse bëjnë denoncime, në shumë raste janë të detyruara që banesën ta ndajnë me dhunuesin.

Sipas specialistëve, shpeshherë edhe mungesa e përkrahjes së familjes dhe e kushteve ekonomike i detyron gratë e dhunuara të rrinë në heshtje dhe të durojnë dhunën duke mos kërkuar divorcin. “Në përgjithësi gratë e dhunuara nuk divorcohen, ato rikthehen prapë te burrat. Që ato të divorcohen duhet të kenë përkrahje të familjes, të ambientit ku jetojnë, të kenë një ekonomi. Çështja ekonomike është dhe kryesorja, sepse në rastet kur gratë kanë një pozitë më të mirë ekonomike dhe janë të punësuara, ato normalisht që divorcohen.

Shteti duhet të jetë më prezent, për të drejtën e grave në pronë, në shëndetin e saj. Duhet nisur që në bankat e shkollës, ku të mësohet se femrat dhe meshkujt janë të barabartë dhe kanë të njëjtat të drejta. Pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare jeton në fshat; edhe pse kanë lëvizur në qytete, ato komportohen me mentalitet rural, mentalitet i cili mund të ndryshojë me ligje të mira, edukim dhe punësim”, – thekson Sevim Arbana, kryetarja e një prej shoqatave që mbron të drejtat e grave në vendin tonë.

Edhe pse denoncimet për dhunën në familje janë shtuar ndjeshëm, ato janë sërish ‘maja e ajsbergut’, pasi janë me qindra e mijëra gra që heshtin dhe durojnë dhunën e bashkëshortëve apo, në rastet më të këqija, dhe dhunën e gjithë familjes ku janë të martuara. Mes rasteve të padenoncuara është edhe ai i 36-vjeçares I.Z., e cila në rrëfimin e saj tregon se prej gati tri vitesh duron dhunën fizike dhe atë seksuale që ushtron bashkëshorti ndaj saj. 36-vjeçarja, nënë e tre fëmijëve, është një prej atyre qindra familjeve që u kthyen nga emigracioni për shkak të krizës ekonomike që pësoi vendi fqinj, Greqia.

Ndërkohë që familjen e saj, veç krizës ekonomike e ka kapur edhe një krizë shumë herë më e rëndë, dhuna. Pas kthimit nga Greqia, ajo tregon se bashkëshorti i saj ka nisur të ushtrojë ndaj saj jo vetëm dhunë fizike, por edhe seksuale. Sipas I.Z., ajo nuk ka menduar asnjëherë ta denoncojë të shoqin, sepse nuk ka asnjë mundësi se si t’i rrisë fëmijët, pasi as arsimin e mesëm nuk e ka përfunduar dhe aktualisht është e papunë. Ndërkohë që i mungon edhe përkrahja e familjes së saj. Drama e saj përmbyllet me një pikëpyetje të madhe, se si do të veprojë ajo nëse e bija do ketë të njëjtin fat.

RRËFIMI
“U ngrita pashë veten në pasqyrë, syri më dukej shumë keq. Një pjesë dukej e kuqe e fortë në mavi, një pjesë pak më e zbehtë. U përpoqa ta fsheh me meikap, krem pudër, dhe pastaj i dhashë të njëjtat tone edhe syrit tjetër. Me fuqitë e fundit që më mbeteshin ngrita fëmijët dhe i bëra gati, se duhej të shkonin në shkollë. Ata me tekat e tyre për pak më shumë gjumë, por me gjysmë përkëdheli se isha e vrarë në shpirt, u mbusha mendjen të ngrihen. Nuk më kish ndodhur kurrë të më gjuante im shoq; kishim kaluar mbi 17 vite martesë, por një gjë e tillë nuk më kishte ndodhur. Përpiqesha të mbaja lotët e nxehtë që ishin gati të dilnin në çdo moment. U ngrit dhe burri (Agroni) nga krevati. Dëgjoja hapat e tij, po sytë tanë nuk u ndeshën fare atë mëngjes.

Dhe ai ndofta nuk e kishte të thjeshtë… Nuk e di si ndihej ai, por vetë isha bosh. Pa më parë për asnjë moment në sy, iku për në punë dhe unë e fëmijët dolëm pak minuta pas tij. Kaluan ditët, syri im u kthye në ngjyrën e tij normale. Për atë që ndodhi herën e parë nuk i thashë askujt asgjë. Dhe shoqe nuk kam shumë këtu, jemi kthyer nga Greqia pas 17 vitesh emigracion. Me Agronin u njohëm shumë herët dhe gjimnazin nuk e përfunduam, e lamë përgjysmë dhe ikëm në emigracion. Kriza e rëndë ekonomike që ra në Greqi na futi në dhe. Duart i ka të arta Goni, në mobilieri ka punuar në Greqi dhe këtu po ashtu. Arritëm të kishim ekonomi të mirë. Unë shumë pak kam punuar, se u mora më fëmijët. Pak vite kam punuar te një e moshuar, e shoqëroja, se ajo ishte vetëm, i merrja dhe fëmijët te shtëpia e saj.

“Nuk ka nevojë flokarta ime të lodhesh ti, e kemi punën në vijë, ti kujdesu për fëmijët, punoj unë”, – më thoshte. Ishim mirë! Nuk kishim probleme. Unë kujdesesha për fëmijët, gatuaja dhe bëhesha e bukur për kur të vinte Goni nga puna. Zemra ime fluturonte sa herë ai kthehej në shtëpi, si në kohën kur e kam njohur në gjimnaz. Ai ishte një vit më i madh. Kur braktisnim orët e mësimit, më dukej sikur ishim si ata zogjtë në kafaz që në krahët e njëri-tjetrit gjenin lirinë. Ekonomia po shkonte shumë keq, shumë lekë na humbën, taksat u rritën. Goni vendosi që ne të ktheheshim në Shqipëri; jo në qytetin tonë të vogël, por në Tiranë.

“Do jemi mirë. Me pak mundim, por do ia dalim. Do hap mobilieri edhe aty”. Isha në merak shumë për fëmijët. Ata u lindën e u rritën në Greqi, dhe shqip pak dinë. Po nuk bëra zë. Mamaja më thoshte: “Burri i di gjërat më mirë. Të ka mbajtur si zonjë, s’ke punuar një ditë”. U kthyem. Por ditët e mia këtu janë gri. Vetëm me fëmijët merrem. Gonin nuk e shohim fare, punon ditë e natë. Ka dhe disa miq e një kushëri që i mbushi mendjen të vinte në Tiranë; atë e ka marrë edhe në punë. Një muaj e pak pasi u kthyem, atëherë më gjuajti herën e parë. Gjërat sikur po stabilizoheshin. Agroni po punonte në profesionin e tij. Pak më shumë lekë në shtëpi i kemi, se dhe fëmijëve u plotësojmë dëshira që më parë nuk mundeshim. Unë s’po gjej punë, kam kërkuar shumë, po vetëm shitëse munda të gjej. Ditët rridhnin, edhe muajt… Po afrohej viti që kur u kthyem, puna e tij ishte pak më mirë. Edhe unë punoja në një dyqan rrobash. Jam 36 vjeçe, me tre fëmijë, por natyra ka qenë bujare me mua, dukem bukur! Trupi nuk më ka ndryshuar nga lindjet e fëmijëve. Po nuk u pëlqen shumë njerëzve kjo, as shoqeve, grave të shokëve të Gonit. Sa herë dalim familjarisht me ta, kemi ndonjë sherr.

“S’kuptohet kush është nëna dhe kush e bija”. Si thumba fjalët e tyre! Pasi mbaruam me ta, unë me fëmijët u kthyem në shtëpi, Goni do shkonte pak në punishte se kishte diçka urgjente që duhej ta mbaronte. U kthye vonë, fëmijët po flinin. Erdhi në dhomë. Ndihej era e rëndë e alkoolit, duhanit. M’u hodh sipër si bishë. S’e di çfarë ndodhi. Më përdhunoi burri im??

Burri i vetëm që më ka prekur që kur isha 16 vjeçe, kam gati 20 vite me të. S’fjeta gjithë natën. Jo jo, nuk është përdhunim kur unë e dua dhe ai më do. Ishte i pirë, ndaj ndodhi kjo që ndodhi. Pas dy ditësh situata u përsërit, por këtë herë edhe më goditi. Më tha “nuk do shkosh në punë”. U grindëm, pasi nuk e kuptoj arsyen përse duhet të heq dorë nga puna kur unë jam e aftë të punoj dhe neve na duhen edhe lekë, se kemi fëmijë për të rritur. Shpulla e tij, o Zot, m’u duk sikur m’u këput qafa. Dhe pastaj bëri dashuri- përdhunim me mua, me pronën e tij. Më vjen turp nga fëmijët. “U përplasa te dera”, – u thashë për buzën e vrarë.

Vajza e madhe është 16 vjeçe; më duket e kuptoi, se një lot ‘tradhtar’ më rrodhi nëpër faqe. Po dhe dy djemtë s’janë më fëmijë: njëri është në prag të 14-vjetorit, tjetri i mbushi 11. Në punë në atë gjendje nuk shkoja dot edhe po të doja, por Agroni ma kishte ndaluar gjithsesi. Këtë herë vendosa të flisja me nënën time. Situata po rëndohej, nuk mundja dot më. Nuk e prisja qëndrimin dhe fjalët e saj. “Bijë, nuk je e para. Shiko mua. Ehh, sa herë nuk i shkonin gjërat mirë babait tuaj, unë e vuaja. Ai ka probleme, se ka halle, do mbajë shtëpinë. Ti duhet t’i bëhesh krah e ta durosh. Se nuk ke dhe rrugë tjetër… Çfarë do bësh, ku do vesh?! Ne jemi dy pensionistë, s’ju ndihmojmë dot. Ku do t’i çosh fëmijët?! Ai është ende i ri, gjen një grua tjetër dhe ty të hedh në rrugë, të merr dhe fëmijët po të dojë.” Dhe sot unë duroj. Kemi gati tre vjet që jemi kthyer dhe tre vjet që unë po vdes përbrenda dita-ditës. Luftoj vetëm për fëmijët që të mësojnë e të bëhen dikush. Por sërish kam frikë. Po t’i ndodhë kjo vajzës sime, çfarë do t’i them?!



This post first appeared on Lajmi Fundit Nga Shqiperia| Lajme Nga Futbolli| Lajmet Shqip Nga Kosova, please read the originial post: here

Share the post

“Burri më rreh e përdhunon pas 17 vitesh martesë”

×

Subscribe to Lajmi Fundit Nga Shqiperia| Lajme Nga Futbolli| Lajmet Shqip Nga Kosova

Get updates delivered right to your inbox!

Thank you for your subscription

×