Get Even More Visitors To Your Blog, Upgrade To A Business Listing >>

Dinamika/ Si pallati në “Astir” u përfshi nga flakët, dyshohet se një mjet u sulmua me tritol. Në godinë nuk kishte shkallë emergjence

NIKOLETA KOVAÇI/ Policia thotë se ishte zjarrvënie e qëllimshme ndaj një automjeti dhe për pasojë janë djegur edhe makinat e tjera që kanë qenë afër tij, por banorët këmbëngulin se kanë dëgjuar shpërthim të fuqishëm dhe se gjithë ajo zhurmë nuk ka të bëjë me vënie zjarri.

Këto janë të dhënat që vijnë nga Policia dhe banorët e pallatit që orëve të para të së martës u tronditën nga shpërthimi në flakë i garazhit të ndërtesës së tyre. Të pamundur të dalin përjashta pasi, sipas tyre, nuk kishte shkallë emergjente, 8 banorë janë lënduar nga asfiksia dhe kanë përfunduar në spital ndërkohë të gjitha makina zjarrfikëse që ka Tirana, janë vënë në dispozicion të fikjes së zjarrit.

Policia dyshon se shënjestër ka qenë automjeti i vëllait të pronarit, një makinë luksoze, por që për fatin e keq, ka pasur ngjitur me veten edhe disa makina të tjera që janë përfshirë nga flaka. Ndërkohë që përjashtojnë mundësinë e hedhjes së ndonjë sasie tritoli, përkundër asaj që kanë dëgjuar dhe treguar të alarmuar banorët që kaluan orë tmerri, paniku e frike.

Në fakt, dy vëllezërit që janë edhe pronarë ndërtimi dhe madje edhe të njohur, janë përfshirë disa herë në sherr dhe janë persona të njohur, ndërkohë që Policia e Tiranës deri orëve të vona të mbrëmjes së djeshme, nuk ka bërë me dije nëse ka mundur ta zbardhë ngjarjen. Ekspertë të çështjes po merren me të gjitha provat e mbledhura në vendin e ngjarjes, ndërkohë që nuk dihet ende se sa persona kanë vepruar në atë garazh pallati, që për fat, akti i tyre përfundoi pa pasoja në njerëz.

NGJARJA

Orë ankthi dhe tmerri kanë kaluar pas mesnatës së të hënës banorët e një pallati në “Astir”, në garazhin e të cilit persona ende të paidentifikuar dyshohet se u kanë vënë qëllimisht zjarrin 3 mjeteve, dhe kanë përdorur lëndë plasëse për të hedhur në erë një mjet “Range Rover”.

Nga flakët u përfshi dhe një mjet i katërt i parkuar afër. Për shkak të plastikëve që u dogjën, pallati u përfshi nja një re e madhe tymi, që solli vështirësi në evakuimin e banorëve. Tetë prej tyre u tha se përfunduan në spital me shenja asfiksie, por pas ndihmës mjekësore, mësohet se ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe se kanë lënë ambientet e spitalit.

U desh ndërhyrja e makinave zjarrfikëse për të parandaluar zjarrin që të mos përfshinte gjithë ndërtesën. Aktivizimi i vatrave të zjarrit në të njëjtën kohë në 4 makina dhe djegia e gomave bëri që tymi të depërtojë shpejt në shkallë, deri në katin e 9-të dhe banorët që konstatuan të parët zjarrin, u evakuuan vetë, ndërsa të tjerë mbetën të bllokuar në ballkon për disa orë, pasi nuk kishin mundësi të dilnin përjashta.

Ashensorët e pallatit dhe rrjeti hidraulik dhe elektrik kanë dalë jashtë funksionit dhe banorët kërkojnë ndihmë që t’i kthejnë të jetueshme apartamentet që i ka mbuluar bloza. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Mjetet që dyshohet se u dogjën qëllimisht me lëndë djegëse janë të ndërtuesit të pallatit, Dritan Llanajt.

Policia dyshon se ngjarja ka ndodhur për shkak të konflikteve të hapura që ai ka. Kujtojmë se Dritan Llanaj është vëllai i një tjetër ndërtuesi, Sino Llanaj, i cili është arrestuar për mashtrim, pasi shiste një apartament te disa persona. Në janar të vitit të kaluar, ai u plagos në Tiranë pranë pallatit që po ndërtonte, pas një konflikti me ortakun e tij.

KUSH JANË VËLLEZËRIT LLANAJ

Ndërtuesi Dritan Llanaj njihet si një person që ka pasur probleme me ligjin edhe më herët në lidhje me mashtrimin e qytetarëve dhe pronat. Në zonën e Unazës së Re, ai ka mashtruar qytetarët. Këta të fundit kanë protestuar edhe para Prokurorisë duke kërkuar dëmshpërblim. Ai, po ashtu, akuzohet edhe për tjetërsimin e pronave te Spitali i Traumës. Ndërsa Sino Llanaj njihet për konfliktin e vazhdueshëm që ka pasur për një ndërtim në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë. Në këtë sherr, Sino Llanaj mbeti i plagosur. Ndërkohë, ai ishte në konflikt me ortakun e tij ndërtues, por edhe me banorët, për shkak të shitjes së disa apartamenteve në një kompleks.

© Panorama.al


This post first appeared on 1FAKT - Teste Psikologjike E Kuize Logjike, please read the originial post: here

Share the post

Dinamika/ Si pallati në “Astir” u përfshi nga flakët, dyshohet se një mjet u sulmua me tritol. Në godinë nuk kishte shkallë emergjence

×

Subscribe to 1fakt - Teste Psikologjike E Kuize Logjike

Get updates delivered right to your inbox!

Thank you for your subscription

×