Get Even More Visitors To Your Blog, Upgrade To A Business Listing >>

Pse nuk është ide e mirë të largoheni nga puna pak kohë para një recesioni të mundshëm

Dorëheqja e Madhe – një term i krijuar në kulmin e pandemisë së koronavirusit, kur punonjësit filluan të largoheshin nga punët e tyre në shifra shumë të larta – është një fenomen që vazhdon të ekzistojë edhe sot.

Por, teksa po rriten shenjat e një recesioni të mundshëm në të ardhmen, do të ishte mirë të mendoheshit dy herë përpara se të vendosni të jepni dorëheqjen.

Katër milionë punonjës lanë punën e tyre në muajin prill vetëm në SHBA, një shifër pak më e ulët se rekordi prej 4.5 milionë dorëheqjesh në mars. Shumë të tjerë planifikojnë t’i bashkohen turmës në muajt e ardhshëm, në kërkim të pagave më të larta, të orareve fleksibël dhe të sfidave të reja.

Sipas një sondazhi të Deloitte, dy nga pesë të punësuar deri në moshën 25 vjeҫ dhe një e katërta (24%) e atyre nga 26 – 41 vjeҫ thonë se do të largohen nga puna e tyre deri në vitin e ardhshëm.

Megjithatë, tregu në të cilin po lëvizin punëkërkuesit është duke ndryshuar me shpejtësi. Teksa inflacioni rritet me ritme të larta, bankat qendrore po lëvizin me shpejtësi për të rritur normat e interesit dhe për të qetësuar ekonominë. Kjo, nga ana tjetër, ka shtuar gjasat për një tkurrje ekonomike, e cila do të kishte pasoja të shumta për punonjësit.

“Pothuajse në ҫdo rast, punonjësit duhet të jenë pak hezitues përpara se të japin dorëheqjen. Ky është një vendim i rëndësishëm dhe shpesh nuk është e lehtë të peshosh të gjitha aspektet pozitive dhe negative. Rënia e mundshme ekonomike i bën llogarië akoma më të vështira,” tha Anthony Klotz, profesor në Universitetin A&M të Teksasit, për CNBC.

I fundit që hyn, del i pari

Prej disa muajsh tashmë, ekonomistët kanë paralajmëruar për perspektivën e një recesioni gjatë vitit 2022 – një thirrje e bërë në fillim të këtij muaji edhe nga Instituti Kombëtar për Kërkime Ekonomike dhe Sociale në Mbretërinë e Bashkuar.

Dhe, megjithëse nuk jemi ende në kushtet e një recesioni, ekspertët e karrierës thonë se punëkërkuesit duhet të jenë më të kujdesshëm për sa i përket ndryshimit të pozicioneve në rrethana të tilla, pasi kjo mund t’i bëjë ata më të ekspozuar ndaj pushimeve të mundshme nga puna.

“Do të ketë disa punëdhënës që do të ndjekin rregullin ‘i fundit që hyn, del i pari’ – që do të thotë se punonjësit e fundit që do të punësohen, do të jenë të parët që do të pushohen nga puna, nëse do të jetë e nevojshme për të bërë shkurtime të stafit,” tha Amanda Augustine, eksperte e karrierës për TopResume.

Pushimet nga puna dhe shkurtimet e vendeve të punës janë tipike në një recesion, pasi kompanitë kërkojnë të zvogëlojnë kostot e tyre. Vlerësohet, për shembull, se gjatë krizës financiare globale të viteve 2008-2009, numri i vendeve të punës u reduktua globalisht me 22 milionë vende pune.

Në rrethana të tilla, punëdhënësit mund të përdorin politikën e ashtuquajtur ‘i fundit që hyn, del i pari’, duke favorizuar ata punonjës që kanë më shumë kohë që janë pjesë e kompanisë së tyre.

“Nuk parashikoj ndonjë ndryshim drastik të filozofisë edhe për këtë rast, për arsye që fillojnë që nga besnikëria ndaj punëdhënësit, e deri te koha që duhet për të trajnuar talentet e reja përpara sesa ata të jenë në gjendje të kontribuojnë në produktivitetin e kompanisë,” tha Adam Samples, president për punësimet në kompaninë rekrutuese Atrium.

Punonjësit me kontrata të përkohshme mund të jenë më të rrezikuarit nga këto politika të shkurtimeve të vendeve të punës, sipas Julia Pollak, kryeekonomiste në faqen e punësimit ZipRecruiter. Megjithatë, edhe punonjësit më të vjetër, që kanë kosto më të larta për kompanitë pasi paguhen më shumë, mund të jenë gjithashtu në rrezik, vuri në dukje ajo.

“Gjatë pushimeve nga puna, punonjësit me kontrata të përkohshme priren të jenë personat më vulnerabël,” tha Pollak, duke vënë theksin te shkëputja e tyre e natyrshme nga biznesi dhe mungesën e benefiteve që do të vinin si pasojë e largimit nga puna.

Për këtë arsye, punonjësit duhet të peshojnë me kujdes rreziqet dhe përfitimet e një ndryshimi të vendit të punës, në një kohë kur panorama e botës së punës po ndryshon. Ata duhet të konsiderojnë nëse do të jenë në gjendje të justifikojnë vlerën e tyre në pozicionin e ri.

“Profesionistët që kanë aftësi të veҫanta dhe të kërkuara në tregun e punës, do të kenë më pak gjasa që të ndikohen nga qasja ‘i fundit që hyn, del i pari ‘, nëse tregu arrin deri në këtë pikë,” tha Samples. / Forbes-MONITOR

© Panorama.al


This post first appeared on 1FAKT - Teste Psikologjike E Kuize Logjike, please read the originial post: here

Share the post

Pse nuk është ide e mirë të largoheni nga puna pak kohë para një recesioni të mundshëm

×

Subscribe to 1fakt - Teste Psikologjike E Kuize Logjike

Get updates delivered right to your inbox!

Thank you for your subscription

×