Get Even More Visitors To Your Blog, Upgrade To A Business Listing >>

“Për një hero pa bujë, si Remzi Ejup” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Për një hero pa bujë, si Remzi Ejup” plus 1 more Telegrafi Opinione


Për një hero pa bujë, si Remzi Ejup

Posted: 21 Jul 2022 03:48 AM PDT

Para pak ditësh, Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, nderoi me titullin e lartë "Kalorës i Urdhrit të Flamurit", Remzi Ejupin, një veprimtar i shquar i Kosovës, që prej vitesh jeton në Gjermani. Në Kosovë njihet si pakkush, por edhe në Shqipëri është i njohur mirë. Ceremonia në Presidencë ishte shumë solemne, me pjesëmarrje të gjerë, me personalitete nga më të lartët e më të njohurit e Kosovës. Nuk mungoi as Rifet Jashari, vëllai i heroit legjendar Adem Jashari.

Një vlerësim dhe nderim plotësisht i merituar që ndoshta, si këtu, por edhe në Kosovë, duhej bërë shumë vjet më parë, sidomos në Kosovë, ku punën e Remziut gjatë viteve të luftës për liri e njohin nga i pari deri tek i fundit.

Jam i sigurt se Remzi Ejupi, ashtu si shumë të tjerë bashkëluftëtarë, nuk kanë shumë nevojë për "nishane". Puna është se ata që e kanë për detyrë të japin "nishane", nuk duhet ta harrojnë kurrë kontributin e luftëtarëve dhe heronjve "të bujë" në luftën heroike për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Harresa për nderim dhe mirënjohje është më shumë se keqe … e po kështu është edhe demagogjia dhe propaganda në nderim të luftëtarëve.

Nuk u zgjata pa arsye në këto radhë. Dhe, prandaj unë, një nga të shumtët që e kam njohur Remzi Ejupin në vitet e vështira të luftës për çlirimin e Kosovës, e çmoj shumë titullin që i dha Presidenti Meta, Remzi Ejupit.

E, më erdhi shumë mirë kur Qemal Minxhozi, miku im i vjetër, ambasador i spikatur në Kosovë, më tha 3-4 ditë më parë: nuk ta merr mendja sa mirë është pritur në Kosovë dekorimi i Remziut.

Në librin tim, "Për Gjermaninë", kam shkruar shumë për figura të shquara të luftës për liri të Kosovës, që i kam njohur edhe këtu, pas viteve '90, por edhe kur shërbeja në Gjermani, në vitet 1997-2002. Kam shkruar edhe për Remziun. Kam thënë atë që duhet të thosha për një hero pa bujë. Kështu kam folur për të edhe në Universitetin e Prishtinës. Dhe, nuk e teproj aspak kur them hero! Remziu nuk mori rrugën për në Kosovë në kohën e luftës, nuk veshi uniformën e UÇK-së e nuk u përball me beteja kundër serbëve. Por, punoi aq shumë në Gjermani për luftën, për lirinë, për popullin e tij, saqë nuk mund ta ndaj kurrë nga ta heronj për luftën në fushëbetejë. Kam qindra faqe shënime, thuajse të gatshme për botim, për Remziun më shokë, që i kam njohur e kam bashkëpunuar në Gjermani. Por, do t'i botoj më vonë! Shumë gjëra kanë kohën e vet për t'i thënë. Sot temperaturat janë ende të larta…

Remzi Ejupi ka qenë ndër të parët që erdhi dhe më takoi në Ambasadë në Bon, kur sapo kisha marrë detyrën, në nëntor të vitit 1997.

Në djalë i ri, energjik, i veshur me shumë shije, i edukuar, i shkolluar, me mendje të hapur, i emancipuar dhe me shumë humor. Ndenjëm gjatë e folëm për Shqipërinë dhe Kosovën. Më ofroi mbështetje të plotë në punën time. E njoha përditë e më shumë si një patriot të vërtetë dhe aspak nacionalist. Nuk kishte "krahë" as majtas e as djathtas; nuk dinte as të fyente e as të etiketonte ndokënd. E kishte të suksesshëm biznesin e tij e mund të rrinte i qetë, ose të angazhohej deri diku, si shumë bashkatdhetarë, biznesmenë, që nuk pushonin duke rrahur gjoksin.

Në Gjermani jetonin e punonin qindra mijëra shqiptarë të Kosovës. Sytë e mendja e tyre në ato vite ishin në Kosovë e ata ishin të gatshëm të bënin detyrën e tyre për atdheun. Shumë emigrantë, sidomos të rinj, morën rrugën e vështirë për të hyrë në Kosovë dhe u bashkuan me UÇK, sikurse më vonë edhe në fushën e betejës.

Remzi Ejupi ishte ai që sponsorizonte pafund avionë, të mbushur me djem e vajza të Kosovës, që fluturonin për në Tiranë, për të vazhduar më tej rrugën e luftës.

Remziu ishte organizatori dhe financieri i koncerteve të pafundme me artistë të Kosovës e Shqipërisë në qytete të ndryshme të Gjermanisë. Ishin koncerte … për lirinë e Kosovës. Ishin manifestime të zjarrta të atdhedashurisë. Gjermanët u mahnitën me këto koncerte në salla, në sheshe, në pallate sporti.

Kemi takuar me Remziun kryetarët e bashkive të Këlnit, Munihut, Hamburgut, Frankfurtit etj., për të na dhënë salla sa më të mëdha. Kishte mbetur të na vinin në dispozicion vetëm stadiumet, vetëm ato mund t'i nxinin shqiptarët … Shtypi dhe televizionet u bënin jehonë të madhe. Remziu si një politikan e diplomat i sprovuar fliste lirshëm, më një gjermanishte të kulluar në studio të ndryshme.

Drejtori Politik në MPJ, Wolfgang Ischinger, me kontribute të veçanta për Shqipërinë dhe Kosovën, do të më tregonte një ditë se ambasadori i Serbisë, Jeremiqi, i ishte ankuar se "shqiptarët po nxisin nacionalizmin me koncertet që organizojnë".

Ishin me dhjetëra kamionë të mbushur me ndihma humanitare drejt Shqipërisë dhe Kosovës, që i organizonte Remziu me miqtë e shumtë gjermanë. Dhe më njoftonte: gjeje kohën e hajde t'i falënderosh para nisjes".

Përherë në lëvizje, nga qyteti në qytet, nga takimi në takim, ditën edhe natën; i palodhur dhe mjeshtër si pakkush në timon. Dhe asnjëherë, as edhe një herë të vetme nuk u mburr, nuk tha kurrë: Unë!

Më telefononte në mes të natës për t'u takuar me dikë nga Kosova, nga Zvicra, nga ShBA.

Nuk do të harroj kurrë kur ministri i Brendshëm, Otto Schilly, një figurë emblematike e politikës, një burrë fisnik e me kontribute të mëdha për Shqipërinë dhe Kosovën do të më befasonte: "Remzi Ejupi – miku yt, apo jo? – po punon shumë për Kosovën. Ne e dimë, ashtu si e dimë, që ai nuk po shkel asnjë ligj gjerman. Ai po punon për popullin e tij".

Sot është e lehtë të flasësh për ato vite e ato ditë të vështira. Është e lehtë të përshkruash sakrificat e pashoqe të shumë e shumë shqiptarëve të Kosovës për lirinë e atdheut. 24-25 vite më parë ishte krejt jo vetëm e vështirë, por, pse jo edhe e rrezikshme. Remzi Ejupi ishte një nga ata që nuk mori parasysh asnjë sakrificë.

Blerina, e shoqja, një grua fisnike, e zgjuar dhe patriote e ka mbështetur pa bujë Remziun, bashkëshortin e saj në "aksionet" e pafundme të tij për lirinë e Kosovës. Dhe ajo gjithashtu meriton një respekt të veçantë e mirënjohje të madhe. E fillova këtë shkrim me mendimin se Remzi Ejupi e meriton plotësisht titullin e lartë që i akordoi Presidenti Meta.

Për më shumë, ai meriton po kaq plotësisht që të quhet një hero, pa fjalë e pa bujë! E njoha më shumë se kushdo në ato vite të vështira, ndaj jam më se i bindur për këtë që po them.

The post Për një hero pa bujë, si Remzi Ejup appeared first on Telegrafi.

Një rrugëtim i vështirë që sapo fillon

Posted: 20 Jul 2022 07:15 AM PDT

Hapja e negociatave me Bashkimin Evropian nuk është pak. Kjo, me të drejtë, është ngjarje e shënuar pas shumë premtimesh, por dhe zhgënjimesh. Një vlerësim real dhe jo për sadaka. Dhe, tani nuk ka të humbur dhe të fituar. Akoma më tej, s'ka pse ta ushqejmë atë, sidomos ndaj kundërshtarëve politikë apo dhe jo kundërshtarë. Kjo ngjarje, realisht është fitore që u takon të gjithë shqiptarëve. Pavarësisht qeverisë së sotme, askush nuk mund t'ia japë vetëm asaj kurorën. Sigurisht, ajo ka pjesën e vetë. Por, edhe qeveritë e mëparshme janë përballur me sfidat e njohura, duke punuar për këtë ditë, për realizimin e ëndrrës, që ajo të mos vritej, por të rritej pa eufori, me tërë kujdesin – integrimin evropian të vendit, rritjen e dinjitetit të tij.

Qindra punonjës të angazhuar për realizimin e kërkesave të Bashkimit Evropian, me besimin e bukur tek Evropa, madje, herë-herë duke e idealizuar atë, pa çka se qeveritë që kanë shkuar e kanë ardhur, disave prej tyre ua kanë lënë përkushtimin në udhë, për t'i zëvendësuar me militantë të vetë ndën kupolën e nëpërkëmbur të administratës ideologjike. Pra, jo për sy e faqe, por ky është kontributi i të tërëve, pavarësisht të qënurit në vijën e parë apo pasardhësen e saj. E rëndësishme, që ëndrra jonë merrte krahë.

Në këto çaste nuk mund të mos mendoj kolegët e mi diplomatë, ambasadorë, drejtues drejtorishë, specialistë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në përfaqësitë tona diplomatike në vende të ndryshme, që tërë puna e tyre në vend dhe sidomos në kontaktet e shumta me ndërkombëtarët të ndërtohej e tillë, për t'i shërbyer rrugëtimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, që me punën e të gjithëve e ardhmja e vendit të bëhej dhe më e sigurt. Kështu, edhe në sektorët e tjerë, pavarësisht luhatjeve. Dhe kemi të drejtë të krenohemi.

Por, përse në Bruksel nuk i pamë përfaqësuesit e opozitës apo, mendoj, dhe ish ministra të jashtëm, si Paskal Milo, Besnik Mustafaj, Arta Dade, Ditmir Bushati? Për këta të fundit, nuk është fjala për garniturë, por për rolin tepër aktiv e të njohur që vazhdojnë të luajnë me punën konkrete të tyre në fushën e integrimit evropian të vendit. Ata kanë ç'të japin. Kur flasim ndërkohë për opozitën, nuk do të mjaftonte ajo që "nuk e dimë kush është ajo"(?!). Përfaqësues të saj i ke dhe në Komisionin e Jashtëm dhe të Integrimit në parlament e gjetkë. Rrugëtimi në Bashkimin Evropian nuk mund të të pranojë me kokën mënjanë ndaj njëri-tjetrit, ndaj njerëzve të tu, që s'mund t'u hashë hakun kurrsesi, meritat që u takojnë në vite, pavarësisht oshilacioneve të politikës. Edhe ata me punë nuk i janë ndarë ëndrrës së të gjithëve. Do të ishte një reflektim serioz për të dy palët, zhveshur nga egot e bezdisshme, sidomos nga ata që janë në pushtet. Dhe çdo spekullim ndaj njërit apo tjetrit do të binte poshtë, sidomos në këto ditë të shumëpritura. Nga ana tjetër, mesazhi i përcjellë nuk do të binte në vesh të shurdhër. Për mesazhe të tilla ka më shumë nevojë vendi, vetë e ardhmja e njerëzve tanë. Ato bëjnë që që të zvogëlohet e t'i ngushtohet hapësira rrethit vicioz të atyre komplekseve që shfaqen apo "flenë" për t'u rizgjuar. Mjedisi evropian, aq i dëshiruar për ne, nuk mund të pajtohet pa një marrëdhënie të qëndrueshme pozitë-opozitë, duke mos nëpërkëmbur njëra-tjetrën. Interesi, në fund të fundit është i njëjtë.

Pa eufori, rruga për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian sapo fillon. Për të qenë objektiv, sa më realist, rruga është e gjatë. Por dhe tepër e vështirë. Cicmicet nuk e ndihmojnë aspak këtë. Kriteret e anëtarësimit presin më shumë punë. Përshpejtimi i reformave, përballja me sfidat e njohura tashmë kërkojnë një mentalitet dhe veprim të ri. Përmbushja e tërë kapitujve në këtë rrugëtim do edhe një përkushtim më të madh. Kështu, demokracia, duke mbushur dhe ato të çara që vërehen, do të ndihet më mirë. Vetë rregullat e Bashkimit Evropian nuk mund t'i lënë asnjë lloj livadhisjeje informalitetit të padëshirueshëm në fusha më rëndësi jetike; në ekonomi, në drejtësi, kudo … Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, konsolidimi i shtetit ligjor, me një funksion të plotë të drejtësisë së re, etj, e bëjnë më të dukshme rrugën për në Bashkimin Evropian. Të gjitha këto nuk mund të arrihen, siç thuhet te ne, duke u thekur në diell apo duke pritur nga të tjerët. Anëtarësimi në BE kërkon më shumë punë, si alternativë absolute për të gjithë shqiptarët.

The post Një rrugëtim i vështirë që sapo fillon appeared first on Telegrafi.



This post first appeared on Shqip, please read the originial post: here

Share the post

“Për një hero pa bujë, si Remzi Ejup” plus 1 more Telegrafi Opinione

×

Subscribe to Shqip

Get updates delivered right to your inbox!

Thank you for your subscription

×