Get Even More Visitors To Your Blog, Upgrade To A Business Listing >>

Albana Osmani: Dobësitë janë forca ime

Tags: qeuml

Ajo është një nga fytyrat më të dashura të ekranit, falë spontanitetit, imazhit të këndshëm,
ëmbëlsisë që transmeton dhe sigurisht talentit. E ndërsa të gjithë e kemi parë ndër vite në rolin e prezantueses së programeve televizive, Albana Osmani rrëfen se ka edhe shumë pasione të tjera. Një prej tyre, që tashmë e njohim të gjithë është piktura, ndërsa aktrimin moderatorja e njohur e “Top Channel” ka vendosur ta testojë së fundi. “Mendoj se kam të dhënat e duhura, por preferoj që koha të flasë më shumë se sa fjalët e mia në këtë intervistë”, tregon Albana në këtë intervistë të rrallë, dhënë ekskluzivisht për “Bluetooth”.
Albana tek “Fiks Fare”, Albana tek “Big Brother” “Fun Club”, Albana si aktore, Albana si piktore, si ia dilni me të gjitha këto?
Këto kanë qenë impenjimet e mia të viteve të fundit. Dhe si çdo program tjetër ku kam pasur përgjegjësinë të jem e kam bërë me shumë pasion dhe kënaqësi. Vështirësia karshi një pune që hyn në prioritetet e para të kujdo e bëhet me shumë dashuri, vështirësia nuk përllogaritet. Sigurisht çdo program kërkon përgatitje, vëmendje dhe bashkëpunim me një staf të tërë që qëndron pas kamerave apo me kolegë në studio, por unë personalisht ia dal pasi besoj fort që në televizion përmbajtja dhe arti ndërthuren si çelës suksesi i garantuar. Përsa i përket pikturës është një “arratisje” e nganjëherëshme e imja këto kohë, gjë që më bën të hedh mbi telajo gjithçka që shoqëron përditshmërinë time, njerëz, histori që i shoqërojnë, pasione, libra apo qoftë dhe detaje reflektuese të një realiteti ku unë ‘vizatoj’ çfarë ‘lupa’ ime e perceptimit kalon në skaner të asaj që dua ti ruaj qoftë dhe si kujtime të pafshira në kohë. Pasi një gjë e mirë e artit vizual është që mbetet aty për t’u soditur edhe pas shumë viteve.
Ka pasur raste kur keni dashur të hiqni dorë, jeni penduar për diçka në gjithë këto vite karrierë?
Gjithmonë ka raste të tilla. Do të isha e pa sinqertë nëse do të pohoja të kundërtën. Por edhe këto raste kanë qenë të versionit mbi kërkesa progresi e zhvillimi të vetvetes. Çdokush besoj, peshon gjithçka në momente të caktuara dhe në fund mban fort çfarë beson se di të bëjë më mirë në jetë. Siç duket këtë di të bëj e nuk do heq dorë!
Kë nga të gjitha këto që bëni konsideroni më të vështirën, më impenjative?
Siç përmenda më sipër, vështirësia apo impenjimi konsiston në përgjegjësi për të dhënë rezultate edhe më të mira sezon pas sezoni. Në këtë pikë aq sa më besohet, personalisht e bëj me 100% tim. Dhe kështu asgjë nuk është e vështirë, përkundrazi! Ndërsa i rikthehem viteve edhe ato momentet delikate, s’po i quaj të vështira pasi s’kanë qenë të tilla asnjëherë, më bëjnë të buzëqesh dhe të mendoj sa bukur që publiku më pa ndërsa rritesha në ekran në çdo aspekt, profesional qoftë dhe fizik pasi kaluan disa vite. Më vjen mirë që përherë kam ndjerë pranim dhe shumë dashuri, nga ana e publikut program pas programi. E quaj veten me shumë fat dhe gëzoj.
Prej kohësh edhe në krah të Doktorit tek “Fiks Fare”, si e cilësoni këtë eksperiencë?
Doktori është një koleg i rrallë. Ai është brilant në gjithë performancën e tij. Aq sa ndonjëherë mendoj të ndaloj të mbaj shënim çfarë i buron natyrshëm pa asnjë skenar, pasi besoj se artistë të tillë do lënë gjurmë në historinë e televizionit të “TCH”. I tillë është Doktori. Shpresoj të mos lexojë këtë intervistë pasi ai është një njeri aq modest në jetën e tij të përditshme sa do më thoshte “hej Tupu me mua e kë eeee?!?”, pasi Tupu i thërrasim njëri-tjetrit në mënyrë konfidenciale në miqësinë e shtrenjtë që kemi prej vitesh. Miqësi kjo që daton qëkurse ne u bëmë pjesë e “Topi”-t. Kjo eksperiencë është fantastike. Unë argëtohem pafund dhe ndjehem në “këpucët e mia”, gjithçka shkon kaq shpejt gjatë transmetimit saqë mendoj sikur të zgjaste “Fiksi” 2 orë s’do të ishte keq.
Sa ju ka ndihmuar në anën profesionale “Fiksi”, po atë njerëzore?
Sigurisht ndërsa tema nga më të ndryshmet trajtohen në studio shpesh gjendemi dhe në pozita të parehatshme. Shpesh ndërsa flasim për njerëz që i janë drejtuar “Fiks Fare” si e vetmja shpresë e ndërkohë dergjen në halle. Kjo padiskutim që prek këdo, dhe ne në studio kemi vështirësinë njerëzore në ndjenjat tona, pasi në fund jemi njerëz, kemi familje, të afërm dhe të gjithë jemi pjesë e një komuniteti ku hasen vështirësi nga më të ndryshmet, për një jetë më të mirë. Por më vjen mirë më shumë se për çdo gjë që do të isha duke bërë momentalisht në jetë, që jam pjesë e “Fiks Fare” pasi në misionin tonë janë prioritet qytetarët shqiptare. Ndjehem se po bëj atë që kam dashur të bëj përherë në jetë, pranë njerëzve dhe duke ndihmuar në një formë. Të flasësh për “Fiks”-in, kolegun tim, temat çfarë vështirësie apo kënaqësie s’do mjaftonte një përshkrim i imi personal, madje mendoj se jam një nga hallkat që mbajnë një zinxhir të fortë të një stafi që punon pa pushim të drejtuar nga një mendje shumë e mençur siç është Filip Cakuli. Ndaj këtu do ndaloja për ta përmbyllur; një lider i tillë me pasurinë e madhe të mendjes, padyshim që mban “Fiksin” këtu ku është në të njëjtin nivel prej kaq vitesh. Programi që i takon gjithë shqiptarëve.
Ndërkohë kohët e fundit jeni përfolur se do të merrni pjesë në një film, si ju erdhi ftesa?
Po e vërtetë. Ky ishte një lajm që më gëzoi jashtë mase. Do të jetë një dimension tjetër për tu eksploruar nga ana ime. Mezi pres të shoh si do komportohem tashmë në kinema. Gjithçka ndodhi pas një prezantimi që më bëri mikja ime e shtrenjtë Donika Bardha me producentët. Ishte rastësore, por ata po kërkonin karakteret që iu duheshin. Ndaj ftesa ishte pak ditë më vonë pas një audicioni ku i binda që do bëj më së miri atë çfarë ata kërkonin nga unë. Do të jetë një rol i vogël, por për mua që nuk kam aktruar ndonjëherë dhe pse televizioni të zhvillon pafund dhe në këtë aspekt përbënte lajm. Dhe sigurisht bëhet fjalë për ekranin e madh të kinemasë botërore. Kaq mund të flas, pasi shumë shpejt do jenë në Shqipëri producentët ku së bashku me bashkëpunëtorët e protagonistët do të flasin për detajet që duan të bëjnë publike. Më vjen mirë që Shqipëria kësaj radhe do pasqyrohet e vërtetë siç është, e bukur dhe me njerëz të mirë që u përballën me një tranzicion të gjatë ndër këto vite.
Sa e vlerësuar ndjeheni për këtë ftesë, si e shikoni veten në rolin e aktores?
Ndjehem e ekzaltuar! Mendoj se kam të dhënat e duhura, por preferoj që koha të flasë më shumë se sa fjalët e mia në këtë intervistë.
Një karrierë të gjatë në televizion, ka pasur raste që ke ndjerë “brryla”?
Sa herë kam ndjerë “brryla” kam guxuar të pyes çfarë domethënie ka kur bën këtë veprim?! Aty është dhe përgjigja. Në fund të talentuarit do mbeten në listën e të kërkuarve. Ndaj besoj se për sa kohë do rrezatoj këtë gjë do jem aty. Këto format çudibërëse i kam parë të zgjasin shumë pak. Pasi televizioni pasqyron qartas kualitetin. Kështu koha mban e ruan fort ata që kanë “brumin”.
Në “Top Chanel” ka një sërë femrash të zonjat, seksi dhe me shumë eksperiencë, a i shikoni si rivale?
Unë jam natyrë altruiste. Në dobësinë time qëndron dhe forca ime më e madhe. Ndaj këtu do ta përkufizoj thjesht. Asnjëherë nuk rendis veten në këta rreshta. Mbase ngaqë ndjehem mrekullisht mirë, dhe kur shoh veten në pasqyrë e shoh me vetëbesim e nuk trembem. Dhe këtu sërish s’ka të bëjë aparenca. Por e tëra në tërësinë e saj. Koncepti për çfarë sheh mes të padukshmes dhe çfarë lexon mes rreshtave për mua mbetet e bukura në thelb. Që të mos ngelem vetëm në kuadrin e këndvështrimit të mësipërm, duhet thënë që televizioni është imazh. E do të bukurën. Dhe unë e dua “Top”-in, ndaj sa herë shoh që diçka po shkëlqen gëzoj dhe përgëzoj. Tingëllon patetike, por kështu jam dhe ndaj mbase jetoj edhe më e lumtur.
Ka Albana një këshillë për të gjitha femrat e reja që duan botën e ekranit?
Kam. Nëse kjo është gjithçka që do investo me gjithçka që ke. Ndryshe ndërro profesion.
Ju shikojmë gjithnjë në udhëtimet tuaja, një pjesë e familjes suaj është në Londër, sa të lidhur jeni me ta?
Familja për mua është dhe do të mbetet prioriteti im i parë. Udhëtoj shpesh drejt tyre dhe ata drejt meje e prindërve të mi. Me të cilët po jetoj momentalisht. Ne jemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Në fakt ndjehem shumë e bekuar me familjen që kam. Prindërit e mi na kanë edukuar më shumë dashuri dhe me vlerësim për gjithçka që do përfaqësonte një njeri të mirë në jetë mbi gjithçka tjetër.
Sa shqetësohet Albana për familjen e saj, teksa shikon lajmet që qarkullojnë në media për ju, ka pasur raste që thashethemet ju kanë prekur familjen?
Nuk do familjarizohen asnjëherë me diçka që është e pavërtetë apo dashakeqe. Kjo e sigurt. Dhe pse si erdhën ditët sot pak lajme mbeten të besueshme. Ndaj dhe në këto raste gjejmë qetësinë në gjërat që i mbeten kohës. Dhe pse më duhet të them që në fakt nuk kam pasur dijeni për ndonjë lajm të formateve madhore që të më shqetësonin aq shumë.
Mbeteni ndër emrat që respektoni jetën private larg mediave, përse kjo zgjedhje?
Besoj se kur njeriu është i lumtur nuk ka kohë t’ia tregojë këtë botës. Është i dehur në lumturinë e tij dhe jeton çdo ditë. Unë sigurisht në kohën e duhur do e ndaj me të gjithë. Kur ta kem gjetur.
A i tremben meshkujt një femre në karrierë dhe seksi si Albana?
Kështu thonë që i tremben një versioni të tillë. Por unë besoj është çështje destinacioni. Unë vlerësoj së tepërmi këtë segment të jetës, të krijuarit një raport mbi të cilin, krijohet një familje e shëndetshme. Gjithmonë kam qenë shumë serioze në këtë pikë. Pasi mendoj përherë që dua të jem shembulli i vajzës time të ardhshme në jetë.



This post first appeared on Lajmi Fundit Nga Shqiperia| Lajme Nga Futbolli| Lajmet Shqip Nga Kosova, please read the originial post: here

Share the post

Albana Osmani: Dobësitë janë forca ime

×

Subscribe to Lajmi Fundit Nga Shqiperia| Lajme Nga Futbolli| Lajmet Shqip Nga Kosova

Get updates delivered right to your inbox!

Thank you for your subscription

×