Get Even More Visitors To Your Blog, Upgrade To A Business Listing >>

REPORTAZHI/ Futboll në vendin e bunkerëve, ku të “pall…. motrat”

Nga Frank Willmann

Tirana në vitet e fundit është zbukuruar hollësisht. Rrjedhja e vazhdueshme e parave nga diaspora po e bënë qytetin të lulëzojë. Qindra, mijëra shqiptarë punojnë në diasporë dhe dërgojnë të ardhurat e tyre monetare rregullisht në shtëpi.
Përveç kësaj BE dhe mafia shqiptare po mbulojnë me para vendin. BE dhe mafia shqiptare. Këto dy «institucione» tradicionalisht të pasura, përmenden nga shqiptarët me dëshirë në të njëjtën frymë.
Që nga viti 2014, Shqipëria është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian. Për mafian Shqipëria – që nga rënia e komunizmit të kohës së gurit – është një vend ideal për t’u fshehur dhe një lloj miniere ari për investime fitimprurëse.

20 mijë bunkerë në të gjithë vendin

Çdo vizitor i Shqipërisë përshëndetet nga një sistem i çuditshëm i bunkerëve të ndërtuar qysh në kohën e komunizmit.

Ish-diktatori Enver Hoxha kishte urdhëruar të ndërtohen 20 mijë bunkerë për t’u mbrojtur nga pushtimet e jashtme. Sot, ata bunkerë janë motive për fotografi dhe përcaktojnë akoma peizazhin e vendit.
Futbolli, ndërkaq, pas kualifikimit të parë të kombëtares shqiptare për një Kampionat Botëror apo Europian, luan një rol të madh në vend.

Shqiptarët janë krenarë për ekipin e tyre. Në verën e hershme të këtij viti, flamujt kuq e zi, me shqiponjën shqiptare me dy krerë, do të tunden kur Shqipëria do të luajë kundër Francës si nikoqir, por edhe kundër Zvicrës dhe Rumanisë. Por hapësirat reklamuese për futboll në Shqipëri dominohen nga Bayern Müncheni.

Nuk ka pothuajse asnjë stacion autobusi, ku shëtitësit e interesuar nuk hasin në një nga ngërdheshjet e hardhucave të Bayern-it. Telekom, Allianz, Audi – Bayerni rri shtrirë në shtrat me shumë lojtarë globalë.

Pagat e ulëta dhe kampionë serie

Në ligën vendore, përveç portierit rezervë, nuk luan asnjë nga lojtarët e ekipit kombëtar. Pagat e klubeve të ligës së parë janë tmerrësisht të ulëta. Kush mundet, punësohet jashtë shtetit.

Ndeshjet rrallëherë shikohen nga masa e spektatorëve që kalon katër shifra, tash e pesë vite kampion është klubi i futbollit «Skënderbeu Korçë», një klub provincial nga jugu i drejtuar mirë.

Ka pak vite që kur kultura e futbollit është përhapur dhe ka lulëzuar.

Nën ngjyrat e dy klubeve të kryeqytetit «KF Tirana» (bardh e kaltër) dhe «Partizani i Tiranës» (kuq e verdhë) janë grumbulluar grupe të tifozëve të rinj.
Kur në fillim të marsit të vitit 2016 u zhvillua derbi mes tyre, masa gjigante prej 8531 spektatorëve vërshoi stadiumin kombëtar «Qemal Stafa», vatra e «Partizanit» të Tiranës.

«Do t’ua pallojmë motrat»

Para ndeshjes dy grupet e tifozëve me mijëra shoqërues lëvizin nëpër qytet prej drejtimeve të ndryshme për në stadium.

I shikova nga afër hamshorët e rinj nga klubi i futbollit «Tirana». Një hamshor prirës me një kapelë që na kujton atë të ish-trajnerit të klubit gjerman «Waldhof Mannheim», Klaus Schlappner, i printe masës. Fishekzjarrë, tym dhe brohoritje të çjerra.

Vetëm disa policë bllokuan trafikun dhe siguruan rrugëtimin e lirshëm të marshuesve.
Kalimtarët dukeshin të kënaqur, disa u befasuan apo thënë më mirë u mbizotëruan nga gëzimi i masës së të rinjve që po këndonin.

Disa gra dhe shumë të rinj përbënin fundin e kolonës, që tradicionalisht drejtohej nga «derrat» e luftës. Kurrë nuk i dihet. Ah, këto lojëra fjalësh romantike të të rinjve! Zemra ime e fortë u hap paksa për ta, kur brohoritjet vendore filluan të zënë vend: «Partizan ne do të pallojmë motrat dhe nënat tuaja!»

Tifozi i «KF Tirana» Eby tregon se si ishin trajtuar tifozët e padisiplinuar deri në fund të diktaturës. Shqiptari komunist, pra e gjithë popullata e Shqipërisë, duhej të ishte i kulturuar dhe i ndershëm. Brohoritjet, shallet e punuara me dorë dhe flamujt konsideroheshin propagandë armiqësore në Shqipërinë e izoluar nga bota e jashtme. Të qenmit tifoz i përshkruar si më lartë në stadium nënkuptonte shtatë vjet burg. E, në rast se kishe rënë në burg për ndonjë gjë tjetër të vogël më parë, automatikisht merrje edhe shtatë vjet të tjera shtesë. Për preventivë, ndërkaq, ka pasur raste kur janë shtuar edhe shtatë vjet të tjera. Një kohë e tmerrshme. Muzeu Kombëtar në qendër të kryeqytetit ka të përgatitur mijëra biografi të tilla të hidhura.

Heroi i historisë së klubit

Partizani i Tiranës ka qenë në kohën e komunizmit dhe bunkerëve klubi i ushtrisë, i themeluar në shenjë nderimi për vëllezërit partizanë të Jugosllavisë. Në fund të viteve të dyzeta Shqipëria ende puthitej trashë me diktatorin Jugosllav – Tito.

Klubi i futbollit «Tirana» ishte, ndërkaq, klubi i punëtorëve dhe administratës së qytetit.

Në vitin 1944 ai mori emrin «Tirana», gjatë një ditë feste komuniste më 17 nëntor.

Kur ish-shefi i Klubit kishte sugjeruar që në vend të klubit të tij ekipi i kombëtares të marrë emrin «17.11», ai ishte shkarkuar nga posti i tij dhe kishte marrë urdhër ndalese të përjetshme për të hyrë në stadium. Kjo ia kishte këputur shpirtin atij dhe sot ai është heroi i historisë së klubit.

Klubi mbështetet kryesisht nga djemtë e lagjeve qendrore të Tiranës. Ata i referohen traditës qytetare të klubit, që u themelua në vitin 1920 dhe si i tillë mbetet një prej më të vjetërve të Tiranës.

Selia kryesore e tij gjendet në afërsi të sheshit kryesor të Tiranës, i cili është emëruar në bazë të heroit kombëtar Skënderbeu.

Një nga dallimet kryesore mes dy klubeve të kryeqytetit është edhe shqiptimi i fjalës «Tirana». Djemtë nga Klubi i futbollit thonë «Tirona», në mënyrë që të dallohen nga «Partizani» që rekruton tifozët e tij kryesisht në zonat periferike të qytetit dhe mbarë vendin.

Partizani është klubi më i pëlqyer i shqiptarëve në Shqipëri. Brenda stadiumit ata sigurojnë lehtësisht shumicën e spektatorëve.

«Ata kanë tradhtuar atdheun e tyre»

Pas diktaturës u rrit shumë ngadalë skena e fansave, dikur imazhet nga Italia mbërrin edhe në Shqipëri. Tash e gjashtë vite derbi i kryeqytetit është sikurse një magnet për spektatorë. Të dyja klubet janë në pronësi të biznesmenëve. Kur bëhet fjalë për pjesëmarrje në vendimet e klubeve të tyre, ndërkaq, djemtë e klubit të futbollit qeshin.

«Tek ne vendos kumbara i klubit vetë për të gjitha çështjet».

Për buxhetin apo gjëra të tilla askush nuk di gjë. «Ne nuk e dimë as buxhetin e vendit tonë», shprehet njëri me habi.

Rreth 150 tifozë të KF-së e përkrahin klubin prej vitesh, përveç «Partizanit» ata i urrejnë në veçanti shqiptarët e Zvicrës. «Ata kanë tradhtuar atdheun e tyre!», thonë.

«Ne nuk duam asnjë Hitler, asnjë Hoxhë, asnjë Stalin!»

Përleshjet janë të rralla, disa shuplaka ndoshta, por jo edhe përleshje të koordinuara që mund të nxisin ndonjë konflikt të madh.

Kjo është edhe një prej arsyeve pse policët ndihen të relaksuar. Një veçori sharmante shqiptare: gjatë takimeve të tifozëve të klubeve të ndryshme shumëçka ndodh përmes kontaktit me sy. Ai që shikon i pari tokën, ka humbur. Tingëllon si një ide e mirë, edhe për gjermanët gjaknxehtë!

Për politik djemtë nuk interesohen edhe aq, ani pse në klubin e tifozëve të «Partizanit» valonte edhe një flamur i revolucionarit kuban – Che Guevara.

«Ne nuk duam asnjë Hitler, asnjë Hoxhë, asnjë Stalin. Që të gjithë politiknaët shqiptarë janë mafiozë dhe vrapojnë vetëm pas kuletave të qytetarëve», është mendimi i përbashkët.

Skenat e tifozëve janë të larmishme, hierarki të sheshta, nuk ka kapo dhe nuk e quajnë veten ultra, domethënë fanatikë të dhunshëm. Vendimet e grupit merren në mënyrë demokratike.

Në Shqipërinë me shumicë myslimane, Eby thotë se për të nuk ka kurrfarë rëndësie se kush në çka Zoti beson.
«Me rëndësi është që ai të bëjë tifo për ekipin e duhur. Së pari vjen klubi, pastaj krenaria kombëtare, e fenë këtu çdokush mund ta jetojë si të dojë», thotë ai.

Në qendër të qytetit paqësisht qëndrojnë xhamitë e ndërtuara rishtazi pranë kishave katolike dhe ortodokse.
Në kohën e diktaturës të gjitha shtëpitë e zotit ishin rrënuar, ndërsa dinjitarët e tyre ishin dërguar në kampet e punës. Shqipëria duhet të jetë vendi i parë ateist në botë.

Kur Bushit iu vodh ora

Dhuratat nga jashtë merren me dëshirë. «Kur Bushi, i riu, vizitoi asokohe Shqipërinë», nisi të tregojë Eby, «ishte takuar me një masë të madhe njerëzisht të entuziazmuar, që të gjithë donin t’ia shtrëngonin dorën dhe të merrnin autograf nga lideri amerikan. Me të përfunduar me këtë turmë, ai (Bush), kishte vënë re humbjen e orës së tij luksoze».

Dy brazilianë, një japonez – argëtim i këndshëm

«Partizani» para derbit poston me dëshirë parulla komuniste, KF ndërkaq vlerëson virtytet e kapitalizmit dhe dëshiron që të gjithë komunistët të shkojnë në kampin e riedukimit. «Kjo duhet shikuar në mënyrë folklorike», thotë Eby.

«Ti je dashuria ime, ëndrra ime, shpresa ime – FK ti je gjithçka që më duhet», këndojnë bardh e kaltrit në stadium.
Para se gjithash ky derbi mendohet të jetë i fundit para rrënimit të stadiumit të vjetër të partizanëve. Por në Shqipëri gjërat mund të marri epilog tjetër, andaj askush nuk e merr seriozisht këtë paralajmërim. Eby tallet: «Nëse humbasim sot, të gjithë do të kërkojmë azil tek Angela Merkel e juaj!» Në kampionat luajnë vetëm disa të huaj. Futbolli ka kualitet sa ai i ligës regjionale gjermane. Te «Partizani» i Tiranës luajnë dy brazilianë, të cilët duhet ta kenë humbur udhën rrugës së tyre për në Itali.

Në KF ndërkaq është mbështjellë disi një japonez biond, i cili bie shumë në sy, ani pse nuk është në gjendje të kap as edhe një top.

«Bibilushi» për politikanin

Para dhe gjatë lojës ndizen mjaft fishekzjarrë, në tribunat e stadiumit këndojnë me gjithë shpirt, që të dyja klubet ofrojnë koreografi të bukur. Kryetifozi i Partizanit është një politikan i njohur, të cilit njerëzit e KF-së përmes këngës i drejtohen si «Bibilushi». «Partizani» prinë shpejtë me 2:0, por artin e lartë të futbollit nuk e zotëron asnjëri prej profetëve të guximshëm të futbollit që zinin në thua në fushë, por nejse!

Unë dëgjoj me entuziazëm himnet e tifozëve dhe ngushëlloj pas ndeshjes lojtarët me fanella bardh-kaltër. Në lagjen e jetës së natës në Tiranë, të quajtur «Blloku», shkojmë për birrë humbëse dhe dëgjojmë tingujt mbresëlënës të një grupi që imiton «Rammsteinin» (grup roku gjerman). Megjithatë azil tek Angela nuk kërkoi askush. Ka gjëra më të rëndësishme për të bërë. Në ligën e Shqipërisë me dhjetë ekipe takohesh katër herë radhazi. Pas disa javësh zhvillohet derbi i radhës në Tiranë.



This post first appeared on Lajmi Fundit Nga Shqiperia| Lajme Nga Futbolli| Lajmet Shqip Nga Kosova, please read the originial post: here

Share the post

REPORTAZHI/ Futboll në vendin e bunkerëve, ku të “pall…. motrat”

×

Subscribe to Lajmi Fundit Nga Shqiperia| Lajme Nga Futbolli| Lajmet Shqip Nga Kosova

Get updates delivered right to your inbox!

Thank you for your subscription

×