Get Even More Visitors To Your Blog, Upgrade To A Business Listing >>

PD nxjerr 10 kushte të reja, reforma në drejtësi drejt dështimit

Rekomandimet e Komisionit të Venecias, të cilat nuk përkrahnin shumë nga vërejtjet e palëve, nuk kanë zbutur qëndrimin e partive politike në Kuvend për reformën në drejtësi. Komisioni i Posaçëm nisi punën këtë të hënë dhe kreu i tij Fatmir Xhafaj njoftoi 12 marsin si ditën e mbërritjes së raportit përfundimtar.

“Vlerësimet e dhëna nga Venecia janë të shprehura qartazi, shpresoj që të gjitha palët ta lexojnë atë objektivisht për ta përmirësuar këtë draft edhe më tej dhe për t’i dhënë shqiptarëve reformën në drejtësi. Sigurisht ky është një draft paraprak pasi më 11-12 mars mblidhet në seancë Komisioni i Venecias për të zyrtarizuar rekomandimet për reformën në drejtësi”, deklaroi Xhafaj.

Por nënkryetari Eduard Halimi ka vënë në dyshim thelbin e projektit për reformën në drejtësi dhe ka paraqitur 10 pika që kapërcejnë vërejtjet e Komisionit të Venecias. Deputeti demokrat tha se opozita nuk kushtëzon reformën vetëm me shumicën e miratimit, madje ai shtoi se as 2/3 dhe as 3/5 nuk kanë rëndësi për Partinë Demokratike.

Së pari, demokratët nuk janë dakort me ngritjen, ekzistencën dhe përbërjen e Këshillit të Emërimit.

Së dyti, opozita kundërshton skemën institucionale dhe procesin e emërimit të funksionarëve në sistemin e drejtësisë si shumë të komplikuar që nuk kontrollon balancat dhe nuk garanton as pavarësinë.

Së treti, PD kundërshton edhe strukturën e Gjykatësë së Lartë, që ndahet në dy të tilla, ajo për çështjet civile dhe penale dhe tjetra ajo Administrative. Partia Demokratike thotë se struktura e Gjykatës së Lartë nuk u takon ekspertëve, por politikës. Lidhur me këtë institucion, opozita kundërshton edhe emërimin e gjyqtarëve nga jashtë sistemit, që e konsideron si një çështje që mund të shfrytëzohet politikisht.

Së katërti, Partia Demokratike nuk është dakort me ndërprerjen e mandateve për organet kushtetuese.

Së pesti, PD mbështet procesin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i ashtuquajturi veting, por kundërshton strukturën dhe mohomin e ankimimit për gjyqtarët dhe prokurorët.

Së gjashti, opozita ka rezerva edhe mbi procesin e emërimit dhe funksionet e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, ku procesin e zgjedhjes me 3/5 për një mandat 9-vjeçar të Inspektorit të Lartë e politizon këtë institucion dhe e vendos në varësi të maxhorancës.

Së shtati, PD kundërshton përbërjen e Tribunalit Disiplinor. Opozita thotë se pavarësisht se reflekton konstatimet e opinionit të ndërmjetëm, por anëtarët janë në kushtet e konfliktit të interesit dhe këtë PD e sheh më shumë si mundësi për korporatizimin e sistemit sesa për kapjen e tij politike. Opozita thotë lë shteg për abuzimin.

Së teti, Partia Demokratike nuk është dakort me formulën e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Së nënti, PD kundërshton përfshirjen në sistem si prokurorë dhe gjyqtarë të individëve që nuk kanë përfunduar shkollën e Magjistraturës. “Duhet të ketë zero hyrje jashtë Magjistraturës”, thonë demokratët.

Së dhjeti, opozita nuk është dakort me mënyrën e zgjedhjes së pesë anëtarëve të politikës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Pas kësaj, fjalën e mori Pandeli Majko. Ai akuzoi opozitën se po bën lojë me reformën në drejtësi dhe si i mungon vullneti për këtë.

“Me këto 10 pika që ngrini ju nuk ka reformë në drejtësi. Tani kë duhet të besojmë ne, kryetarin e PD që del nga oborri i partisë dhe duke tundur draftin e Venecias thotë që kjo është zgjidhja, apo ju që na dilni me 10 pika këtu?! Megjithatë, unë dua t’ju falenderoj ju që na bëtë të qartë për herë të parë se për çfarë nuk jeni dakort”, deklaroi Majko.

Ndërkohë, përmes Spartak Brahos, Lëvizja Socialiste për Integrim u shfaq optimiste për gjetjen e një konsensusi politik dhe u dha mbështetjen e LSI-së disa shqetësime të demokratëve.

“LSI është shprehur vetëm për një Gjykatë të Lartë. Byronë Kombëtare të Hetimit, ne e mbështesim atë, por jo nën polici, por në varësi të Prokurorisë. Jemi kundër Byrosë Kombëtare të Hetimit kështu siç është konceptuar deri më tani”, tha Braho.

Partia Demokratike këmbënguli deri në fund që vërejtjet e saj të nisin shqyrtimin menjëherë përmes një procesi politik në Komisionin e Posaçëm, por socialistët kërkojnë që ndasitë të përafrohen në nivel ekspertësh.

“Këtu vetëm një pikë është politike, të gjitha të tjerat janë teknike, për mendimin tim”, tha kreu i Komisionit, Fatmir Xhafaj.

Majko kujtoi se reforma është kusht për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe kërkoi që konsensusi politik të mos bëhet jashtë ekspertëve.

“Mund të bëjmë konsensuse politike sa të duam, por jashtë bashkëpronarëve dhe jashtë vullnetit të ekspertëve nuk mund ta bëjmë. Mendoj që kur ekspertët tanë të PS dhe të PD të jenë të përafruar dhe në ato raste kur nuk ka konsensus të prevalojë mendimi i ekspertizës ndërkombëtare, atëherë të nisim të diskutojmë politikisht këtu”, tha ai.

Majko propozoi që nga mbledhja e ardhshme Komisioni të nisë diskutimin nen për nen të draft-reformës.



This post first appeared on Lajmi Fundit Nga Shqiperia| Lajme Nga Futbolli| Lajmet Shqip Nga Kosova, please read the originial post: here

Share the post

PD nxjerr 10 kushte të reja, reforma në drejtësi drejt dështimit

×

Subscribe to Lajmi Fundit Nga Shqiperia| Lajme Nga Futbolli| Lajmet Shqip Nga Kosova

Get updates delivered right to your inbox!

Thank you for your subscription

×