Get Even More Visitors To Your Blog, Upgrade To A Business Listing >>

6 Shqiptarët që Luajnë Bixhoz me Jetë Njerëzish



- Ky nuk është propozimi im! - tha ajo me nervozitet - E firmosa sepse mu kërkua nga ju ... por nëse ju nuk i dilni për zot unë e tërheq për mungesë informacioni.

- Ne nuk prononcohemi në këtë moment - u përgjigj Kryetari i grupit. Dhe kur ajo insistoi Udhëheqësi ja preu shkurt:

- Mendoj se kjo çështje mori përgjigje!

Ky komunikim nuk është nxjerrë nga filmat e mafias apo nga ato me cowboys por nga një mbledhje e grupit parlamentar të partisë në pushtet në Shqipëri. Partisë Socialiste.

"Ajo" është një deputete e Parlamentit Shqiptar, "Kryetari i grupit" është Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe "Udhëheqësi" është Kryeministri i Republikës së Shqipërisë.

Fatkeqësisht ne të gjithë humbëm në katrahurën qesharake të deklaratave aspak politike të Erjon Braçes për arrestimin e kryetarëve të LSI duke humbur një nga skenat më makabër të demokracisë Shqiptare dhe provën e padiskutueshme të kapjes së shtetit në Shqipëri nga interesa parash e pasanikësh.

Diskutimi, që askush nuk e vuri re, kishte të bënte me kërkesën e 6 deputetëve për shtyrjen e zbatimit te Ligjit mbi Lojrat e Fatit me, jo pak, po dy vjet! Një nga këto 6 deputetë ishte edhe "Ajo", Znj. Deputete, Blerina Gjylameti, e cila në mes të mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë në pushtet deklaron se ka propozuar:

1. Shtyrjen e një ligji për të cilin nuk ka asnjë informacion
2. Shtyrjen e këtij ligji jo sepse e donte por sepse ju tha ta bënte
3. Shtyrjen e një ligji për të cilin, me shumë gjasa, ajo nuk ka asnjë dëshirë që të shtyhet

Kuptohet qartë se ky ligj po shtyhet me urdhër të atij që desh ta mbyllte këtë bisedë, atij të cilin ne, populli i thjeshtë e kemi zgjedhur, ne 1 milion shuplakat e pushtetin të vjetër. Ky ligj po shtyhet për të mbrojtur interesat e disa milionerëve Shqiptarë miq apo mbështetës të atij që në fakt duhet të na mbështeste ne, të varfërit e të thjeshtët, që dolëm në rrugë të protestonim për të, u futëm në greva e sakrifikuam shumë që të na drejtonte e të kujdesej për ne.

Fatkeqësisht, ashtu si Britanikët pas Brexit apo Amerikanët pas zgjedhjes së Trump, edhe pse me vonesë si popull i mefshtë që jemi, tani ne po kuptojmë se çfarë i kemi bërë vetes. Po kuptojmë se Rama dhe lufta e tij ideologjike ngjan plotësisht me broçkullat e Nigel Farage dhe pufkat e “kundërshtarit” të tij Amerikan, Donald Trump.

Premtimet e fushatës, Rama i kish thjeshtë fjalë në erë dhe nuk ka për ti mbajtur kurrë!

Është folur shumë për një seri premtimesh të Ramës që kanë sjellë vetëm zhgënjim duke filluar që nga drejtësia për 21 Janarin, lufta ndaj koncesioneve, ndërtimi i korridoreve e autostradave, mbështetja për rininë në arsim e punësim me mbi 300 mijë vende pune e deri tek importimi i plehrave (që desh na u bë edhe importim kimikatesh) etj, etj ,etj.

Sot dua të flas për zhgënjimin e radhës të marrë nga Rama, zhgënjim i cili derdhi kupën dhe bëri që unë të mos ja jap më votën atij dhe botës që ai përfaqëson.

Një nga premtimet e shumta elektorale të Kryeministrit Edi Rama ishte se do të intensifikonte përpjekjet në betejën pa kompromis kundër krimit, duke theksuar se ndër të tjera krimi ekonomik përmes lojërave të fatit godiste familjet e varfra.

“Ne jemi këtu për të mbështetur familjet shqiptare. Do të vazhdojmë pa kompromis betejën në çdo lagje të Shqipërisë, pasi e ardhmja e këtij vendi nuk mund të ketë gjë të përbashkët me bixhozin”, u shpreh Rama në atë kohë.

Kryeministri ndër të tjera theksoi se aktiviteti i lojërave të fatit ka qenë i mbështetur nga politika, duke shtuar se rritja që pësoi ky aktivitet në vitet e fundit ishte dëshmi e rritjes së industrisë së krimit në sytë e të gjithëve e ‘që nuk i bëri përshtypje askujt’.

Kryeministri në atë kohë, si luftëtatri më i ashpër i koncesioneve, arriti deri aty sa te premtonte se Lotaria Kombëtare do ti rikthehej Shqiptarëve dhe se koncesioni i dhënë nga qeveria e asaj kohe Austriakëve do të anulohej. Kjo ndoshta ishte gënjeshtra më e madhe të cilës nuk duhej ti kisha besuar!

Por si qytetar i Tiranës i besova! Isha shumë i lumtur me këtë premtim të kryeministrit si dhe ligjin që ai trumpetoi si armën kryesore të fitimit të betejës ndaj vesit të bixhozit. Kisha parë shumë lagje të shkatërruara nga zhurmat e sherret e krijuara nga këto pika basti që tërhiqnin rininë si dhe njerëzit më në nevojë. Ja cfarë parashikonte ligji që do të miratohej nga Rama në dhjetor të 2016 dhe që ishte njoftuar që në shkurt të vitit 2016.


Kisha parë me dhjetëra të rinj të lagjes time që kalonin ditët aty pa asnjë shpresë dhe pa asnjë qëllim për një të ardhme më të mirë të përfituar nga djersa e ballit. Ky ligj do të fshinte këtë imazh nga unë dhe mijëra Shqiptarë a të huaj që vizitojnë Shqipërinë. Mendoja shpesh përse alternativat e kësaj rinie ishin vetëm fitimi i skedinës apo marrja me drogë dhe uroja që kjo qeveri të godiste të dyja këto ëndrra të mbrapshta të brezit të ri me këtë ligj.

Dhe u lumturova akoma më tepër kur një nga aktet e para të kësaj qeverie qe mbyllja e aksesit online të Shqiptareve në sitet e basteve dhe kazinove ndërkombëtare.

Sipas vetë kryeministrit, Shqiptarët humbitnin 500 deri 700 milionë dollarë në vit nëpër kazinotë e “botës”.

Por, në krahun tjetër, një dyshim filloi të më pushtojë kur shikova se, me kalimin e viteve, jo vetëm kazinoja e shumëpërfolur e Tiranës (prej së cilës kemi dhuratë disa vetëvrasje) nuk lëvizi nga qendra e Tiranës, jo vetëm koncesioni i Lotarisë Kombëtare nuk ju kthye Shqiptarëve, por gjithashtu pikat e basteve u shumëfishuan ditë pas dite deri në çmenduri. Sic mund ta dëgjoni edhe në videon e mësipërme, sot Tirana ka më shumë kazino se edhe vetë Las Vegasi i famshëm.

Dyshimi mu shtua akoma më tepër tek shihja se, edhe pse ligji i parashikuar të hynte në fuqi brenda 30 ditëve kërkonte largimin e kazinove në periferi e largimin e pikave të basteve mbi 200 metra nga shkollat dhe institucionet e kultit, askush nuk po merrte masa për të realizuar paraprakisht këto kushte, asnjë fushate sensibilizuese nuk po ndërmerrej nga qeveria, asnjë pikë bastesh nuk po mbyllej.

Ndërkohë që kryeministri kish deklaruar se lufta ndaj basteve do bëhej lagje më lagje, në lagjen time u hapën dy pika bastesh të reja vetëm pak ditë nga hyrja në fuqi e ligjit që i ndalonte ato. Dhe këto u hapën vetëm 50 metra nga Gjimnazi Partizani.

Atëherë dyshimet u kthyen në reflektim! A u mbyll me urgjence ky akses tek kazinotë e botës për të ndihmuar të varfrit, të cilët i kish kaq për zemër kryeministri, apo u mbyll për të fuqizuar një dorë biznesmenësh vendas me mbështetje të forta politike? Këto 700 milionë dollarë që nuk shkuan jashtë Shqipërisë u rikthyen në xhepat e Shqiptarëve, duke evituar drama familjare e shkatërrime pa fund jetësh të njerëzve të varfër (për të cilët i qante zemra kryeministrit) apo u devijuan në xhepat e biznesmenëve Shqiptarë me të njëjtën mbështetje politike, që u ndryshoi vetëm ngjyra nga blu në mavi?

Sot unë mora përgjigjen e gjithë pikëpyetjeve të mia. Sot mora edhe shuplakën e radhës nga kryeministri im gënjeshtar. 6 deputetë të mazhorancës kanë kërkuar shtyrjen e ligjit kundra lojërave të fatit me urdhër nga ai. Shqetësimi i tyre mbi marrëveshjet e qirave që kanë operatorët e lojërave të fatit ishte pretekst. Ata kërkonin shtyrjen e një ligji të Shtetit Shqiptar për arsye të disa kontratave private qeraje për të cilat ishin njoftuar nga Shteti Shqiptar që në shkurt të 2016 se duhet të anuloheshin. A nuk i mjaftonin këtyre biznesmenëve 700 milionë dollarë fitime në vit dhe 10 muaj kohë për të mbyllur konfliktet për disa kontrata qeraje që në asnjë rast nuk kalojnë 100 mijë lekshin në muaj? Nuk dua të komentoj më tej këtë "shqetësim" të tyrin të parë sepse është tepër qesharak, por po kaloj tek justifikimi i tyre i dytë.

Ata janë tepër në merak se mbi 1800 vende pune për njerëzit e varfër do te mbyllen dhe se mbi 125 milionë dollarë të ardhura në buxhetin e shtetit të cilat do të shkonin në mirëqenien e të varfërve do te humbeshin nëse godasim këto operatorë të lojërave të fatit.

Kuptoj shqetësimin e këtyre deputetëve për njerëzit e thjeshte, e kuptoj drejte sepse këta varfanjakët e popullit i kanë zgjedhur. Por ndoshta përkujdesja e tyre duhet të fillojë tek fakti që këta njerëz të varfër që i kanë dhënë votën humbasin 700 milionë dollarë në vit. Përkujdesja e tyre duhet të shkojë më parë tek ata të rinj që i shohim përditë të kërrusur mbi skedina duke harxhuar ato pak lekë që i jep familja apo që arrijnë të sigurojnë përmes djersës së ballit.


Përkujdesja e tyre mbi të gjitha e më së pari duhet të shkojë tek shkatërrimi i mijëra familjeve nga bixhozi dhe qindra dramave personale që vijnë si pasojë e këtyre bizneseve që këta deputetë po mbështesin tani. Përkujdesja e tyre duhet të shkojë gjithashtu tek shkatërrimi i idesë famëkeqe se mund të pasurohesh lehtë vetëm përmes fatit, gjë që bën që rinia jonë të përçmojë “punët e dorës së dytë” e të presë lekët nga qielli si në kohën e piramidave. Dhe, deputetë të dashur, asnjë nga 1800 vendet e punës së bixhozit nuk do humbasi por përkundrazi, me mijëra punë të reja do hapen nëse ato pak para që i luajnë bixhoz të rinjtë do ti harxhonin për një biznes apo ide inovative për të cilat ju patët premtuar me mijëra mini-kredi ndihmë (edhe një premtim tjetër i pa mbajtur).

Të ruash vendet e punës të lojrave të fatit është njësoj si të qahesh se po humbiten vendet e punës nga përpunimi i drogës, sepse dihet shkencërisht se loja e fatit është një drogë më vete. SHKATËRRUESE!

Natyrisht zotërinjve e zonjës deputete : Ervin Bushati, Ervin Koçi, Blerina Gjylameti, Luan Duzha, Ylli Shehu dhe Tahir Muhedini nuk u interesojnë këto lloj përkujdesjesh, ose edhe nëse i interesojnë, nuk mund të kundërshtojnë një urdhër të ardhur nga “Trumpi” i tyre i cili i garanton një karrige të ngrohtë deputeti. Kjo ndoshta sepse votat me të vërtetë ja jep populli varfanjak por karrigen ja mbron biznesi dhe kryeministri “Alb-Trump”. Sidoqoftë kjo situatë #TURP_TJU_VIJE !

Për sa i përket kryeministrit pastaj mund të them me bindje se #RAMA_NUK_ESHTE_KRYEMINISTRI_IM dhe secili prej nesh që ndjehet #SERISH_I_ZHGENJYER duhet ti ulërijë këto # në internet.

O kryeministër, fushata jote kundër lojërave të fatit quhej “Fundi i marrëzisë” nëse e ke harruar. Shpresoj që ky popull, që nuk rresht së zhgënjyeri nga politikanët e tij, të realizojë me të vërtetë fundin e kësaj marrëzie për të cilën je përgjegjës ti! Por kam shumë frikë se ata do vazhdojnë të merren me batutat e tua pa kripë në Facebook e sjelljet e tua prej garipi ekstravagant në TV.

Si mendon ti? Lër pra një koment ose shpërnda këtë postim në Facebook me një nga # e mësipërm!

Nga B.Sallabanda për 1FAKT.com


This post first appeared on 1FAKT - Teste Psikologjike E Kuize Logjike, please read the originial post: here

Share the post

6 Shqiptarët që Luajnë Bixhoz me Jetë Njerëzish

×

Subscribe to 1fakt - Teste Psikologjike E Kuize Logjike

Get updates delivered right to your inbox!

Thank you for your subscription

×