Get Even More Visitors To Your Blog, Upgrade To A Business Listing >>

Musai i vret vetë

Musai i vret vetë

Ka një numër të frikshëm të madh dhe në rritje të rinjsh që hanë, pinë, vishen, mbathen, flenë, lahen, krihen, krekosen, por nuk duan, nuk dinë, dhe nuk bëjnë asnjë punë edhe po tua shtypësh kokën. Nuk lexojnë asnjë libër edhe sikur tua çash kafkën me kazmë. Në universitet shkojnë vetëm për gallatë dhe për asgjë tjetër edhe po t’ua shkulësh gurmazin. Rrinë gjithë ditën në kafene, prej nga nuk i shkul dot asnjë vinç. Nuk kanë asnjë interesim për asnjë profesion edhe të gjitha kushtet po t’ua plotësosh. Femrat i kanë qejf, por nuk u afrohen butë, bukur, si njerëz, por vetëm në mënyrë instinktive, si shtazë. Flasin sikur hungërijnë me çerek fjalësh, gjysma frazash, zero kuptime, në një gjuhë që duket si gjuha e derrit dhe çakallit, vetëm shqip jo. Mbrëmjeve thithin hashash duke u llafosur rrëmujshëm për pare të mëdha, dallavere dhe hajdutllëqe, si mund të fitohen miliona të kollajta pa luajtur vendit, vetëm me dredhira, për shembull duke krijuar shoqata dhe organizata fantazma për të marrë grante të majme nga miku, miku i mikut, miku i mikut të mikut, ministri, deputeti, për të blerë me ato pare të vjedhura makina të shtrenjta dhe për të ndërtuar vila, për tu shoqëruar me femra të bukura në hotele dhe plazhe të shtrenjta. Mbajnë me vete kobure, dhe nëpër vende të caktuara fshehin kallashnikovë. Ëndërrojnë për t’u lidhur, dhe lidhen, me rrjetet e trafikut të drogës, vrasin për hiçgjë njëri-tjetrin nëpër lokale nate duke ia ulur çmimin e jetës së shqiptarit sa gëzhoja që mbetet në dysheme brenda pellgut të gjakut, e të tjera e të tjera.


Tabloja përditë e më e errët me të rinj parazitë që s’bëjnë asgjë dhe pretendojnë gjithçka, është rrënqethëse.

Pyeta një baba,

-Si ka mundësi që djali yt e kalon gjithë kohën nëpër loto dhe bingo? Çfarë bën ti si baba, i thashë për të ardhmen e djalit tënd?!

-Nuk kam çfarë të bëj për të ardhmen e djalit tim, kur djali i tij nuk bën asgjë për të tashmen e vet. I kam thënë me mijëra herë që të mësojë ndonjë zanat, por s’më dëgjon. Tani e kam lënë në fat të vet. S’më bën më asnjë përshtypje, dhe nuk do ndjej aspak keqardhje nëse ndonjë ditë do ta vrasë ndonjë shoku i tij, të cilit mund t’i ketë marrë borxh që nuk ia kthen dot.

-Domethënë, ti po pret që djalin tënd ta vrasë shoku i vet.

-Po.

Përgjigja tmerruese ma shtroi kureshtjen.

I bëra pak a shumë të njëjtën pyetje një babai tjetër, djali i të cilit në shkollë shkon, por gjithë kohën tjetër e vret në Fejsbuk. Edhe ky baba më dha të njëjtën përgjigje. Nuk më intereson më djali, – tha. – S’ka ç’më duhet një parazit pa asnjë të ardhme, që do më duhet ta mbaj mbi shpinë derisa të vdes. E kam lënë të ma vrasë dalëngadalë Fejsbuku duke ia thithur trurin.

Një nënë më tha se jo vetëm djalin, por edhe vajzën e rritur, të cilët të dy e shkojnë kohën në kafene, po priste t’i vriste kafeneja.

Katër baballarë të tjerë radhazi më thanë për djemtë e tyre,

Hiç s’kam ç’i bëj hajdutit, po e lë të ma vrasë policia.

Inshallah ma vret Zoti rrugaçin, të shpëtoj prej atij edepsëzi që ma nxiu jetën!

Nuk kam zemër t’ia fus vetë thonjtë në fyt. Po e lë të ma mbysë droga.

Jam i qetë, bëra gjithçka ta largoj nga bixhozi, por pa sukses. E kam lënë ta vrasë shoqëria.

Ndodhet në mëhallën time një goxha market. Pronar i atij marketi është Musai. Marketi i Musait punon si sahati i hoxhës. Hapet dhe mbyllet në orare precize me minuta, asnjë problem, asnjë ngatërresë, heshtje, qetësi, rregull, mirësjellje, pastërti.

Musai ka tre djem. Marrshalla të tre! Njëri më i fuqishëm e më i shëndetshëm se tjetri. Tre djemtë e Musait merren me furnizime, bëjnë hesapet, ruajnë rendin, qetësinë, pastërtinë. Ata sot janë nga 25 në 30 vjeç. Në pak vite, u martuan njëri pas tjetrit të tre.

Vijnë e ikin partitë, ndërrohen pushtetet, Musai, marketi i Musait, biznesi i Musait, djemtë e Musait, për bukuri. Musai me gruan e vet, dhe djemtë e Musait me familjet e tyre, me makinat e tyre, bashkë me nuset dhe fëmijët e vegjël, pas punëve në market dalin shëtitje, pinë kafe.

Meqenëse me Musain i kam dy pare muhabet, e pyeta një ditë,

-O Musa, të lutem më thuaj, cili është sekreti që biznesi yt, marketi yt, familja jote, shkojnë të gjitha vaj? Nuk keni asnjë problem… Të rinjtë e sotëm rrinë gjithë kohën nëpër kafenera, nëpër bingo, thithin hashash, s’bëjnë asnjë punë. Si e ke zgjidhur ti këtë problem me djemtë e tu që janë aq punëtorë, aq të disiplinuar, aq familjarë? Çfarë magjie u ke bërë t’i djemve të tu që s’bëjnë gëk, por vetëm zbatojnë përpikërisht urdhrat e tua? Si ka mundësi që djemtë e tu nuk lozin lloto, nuk venë në disko, nuk bëjnë sherr, nuk i arreston policia, nuk i budallalleps hashashi, nuk i vret shoku, nuk ia thith trurin si me shiringë Fejsbuku? Të lutem mos më le me vdek pa ma tregu këtë sekret.

-I kam zgjidhur me kohë këto probleme, – tha Musai. – Mes meje dhe djemve të m’i s’ka policira, fejsbuka, droga, e më the e të thashë. Ua kam bërë të qartë se i pari që do ma bëjë fjalën dysh, do ta vras me dorën time. Nëse, pasi ta vras të parin, njëri prej të dyve që do mbeten gjallë ende nuk do ketë zënë mend, do ta vras edhe atë pa m’u dridhur syri. Po kështu do veproj edhe me të tretin. S’kanë ç’më duhen as mua, as vetes, nëse s’më binden. Edhe kopeja e deleve e ka një dash me brirë që i prin. Dashi i familjes sime jam unë. Deshët e familjeve të tyre janë djemtë e m’i.

-Domethënë, ti Musa nuk pret që djemtë e tu t’i vrasë shoqëria, Fejsbuku, policia, droga, kafeneja, por i vret vet ?

-Po. Pa më lëvizur qerpiku. Këtë e di unë më mirë se e ka ditur babai im. E dinë djemtë e mi më mirë se unë. Do ta dinë më mirë se djemtë e m’i, djemtë e djemve të mi.

-Musa,të lutem mos u tut. Vazhdo vriti vetë djemtë e tu. Është mënyra më e mirë që ti dhe djemtë e tu, Shqipëria dhe shqiptaria, të jetojnë në jetë të jetëve pa i gjetur kurrë asnjë bela.
Edison Ypi per Mapo


This post first appeared on LOGJIK & PSIKOLOGJI SHQIPTARE, please read the originial post: here

Share the post

Musai i vret vetë

×

Subscribe to Logjik & Psikologji Shqiptare

Get updates delivered right to your inbox!

Thank you for your subscription

×