Get Even More Visitors To Your Blog, Upgrade To A Business Listing >>

Jo punëtorët, Kosovës po i ikin skllevërit Telegrafi Opinione

Jo punëtorët, Kosovës po i ikin skllevërit Telegrafi Opinione


Jo punëtorët, Kosovës po i ikin skllevërit

Posted: 21 Jul 2022 11:23 AM PDT

Kamerieri: “Bos, a muj mbas dy javësh me i marrë pesë ditë pushim, po shkoj n'deti?”

Pronari i restorantit: “Çfarë deti bre në këtë krizë? Unë s’po kam pare me shkue, e ku ti? Plus tash sezoni, kanë ardh' shacat. Edhe me çka po shkon ti në deti kur rrogën e ki 250 euro?”

Kamerieri: “Bos. Vëllai vjen prej Gjermanie. Ai po m'çon n'deti. S’po shkoj me 250 euro që m'i jep ti."

Pronari: “S’bon, jo. Kape tabakun e shko te mysafirët!”

Kamerieri: “Shef, tabakun kape vet, se unë shkova. E ti prej sot gjeje një tjetër punëtor."

Pronari: "Shko, por nuk ta jap rrogën për dhjetë ditët e këtij muaji".

Kamerieri: "Aiii… bos, rrogë po i thue a? Falë të qofshin se edhe ashtu jeni në krizë," i thotë dhe braktis restorantin pa u përshëndetur me pronarin.

(Dialogu mund të jetë imagjinar, por rrëfimi është real.)

Dhe, këtu përfundon një marrëdhënie pune-skllavërie e një kamerieri, që sipas të gjitha gjasave do të ketë punuar së paku gjashtë ditë në javë dhe së paku 10-12 orë në ditë për 250 euro në muaj.

Nuk dihet nëse ishte me baçelor apo me master. Por, ajo që dihet është se pas kthimit nga deti, ai mbase nuk do të trokas në dyert e ndonjë restoranti apo kompanie tjetër që skllavërojnë punëtorët.

Edhe ai do të zë vend në rreshtat e gjatë para ambasadave të huaja, për një vizë pune a turistike në ndonjë vend evropian.

Pronarët e bizneseve në Kosovë janë vënë në alarm. Po na ikin punëtorët!?

Dikush në një debat televiziv tha: punëtorë ka, por nuk duan të punojnë për paga të ulëta!

Qëndron kjo.

Po shkojnë të rinjtë, mirëpo ka ende shumë të rinj për tregun e punës, por që nuk duan të skllavërojnë për bukë në gojë, ose më mirë të thuhet: nuk duan të skllavërohen.

Po shkojnë të paguhen për punën që bëjnë. Nuk do të jenë të detyruar që kur të kalojë një javë e më shumë nga data kur është dashur ta marrin rrogën, ta këqyrin njëri-tjetrin në sy pa guxuar të pyesin shefin – që në të shumtën e herëve është familjar i bosit: "Kur dalin pagat?" – sepse e dinë përgjigjen: “Dalin! Nëse s'ju pritet, shkoni ku të gjeni ma mirë!”

Nejse.

Por, nuk qëndron thënia: Po ikin.

Askush nuk po ik.

Po i ndjekin prej Kosovës.

Me diploma masteri (qysh e si i morën shumë sish, kjo është histori tjetër) bredhin rrugëve, kurse kamerierë, punëtorë ndërtimi, dyqanesh, marketesh e biznesesh të ndryshme punojnë nga 12 orë në ditë e shpesh edhe shtatë ditë në javë.

Edhe më keq se kaq. Ka përplot raste të abuzimeve të ndryshme psikofizike e seksuale me punëtorët/et…

Dhe tash, ofshajnë bosët punëdhënës: Mbetëm pa punëtorë!

Jo, bosa!

Nuk po mbeteni pa punëtorë, sepse ju nuk i trajtuat asnjëherë si punëtorë, por si robër.

Po mbeteni pa skllevër.

Ndaj, edhe kur të ngjitni në dritaren apo në derën e biznesit tuaj letrën, ose kur shpallni përmes rrjeteve sociale, “Kërkojmë punëtorë,” ata që kanë kaluar nëpër dyert tuaja do ta shohin këtë si një ofertë për skllavërim.

Do të punojnë edhe 12 orë në ditë dhe vikendeve për të fituar më shumë para. Do të sakrifikojnë edhe makiatot dhe daljet e përnatshme në Prishtinë. Do të ndjehen të huaj. Do të pajtohen edhe t’i thërrasin ‘shaca’, ‘ausllandera’ e ‘gërnaqa’, por skllevër nuk do të jenë.

Nuk do të përbuzen nga pronarë e menaxherë restorantesh, punishtesh e të dreqit e të birit që kënaqin egon e tyre me logjikën e dominimit – të nënshtrimit dhe të përuljes të punëtorit.

Nuk do të djersiten duke shërbyer qindra makiato brenda 10-12 orëve, as nuk do të rrezikojnë te bien nga skelet pa pasur as helmetë në kokë; as nuk do t'i ndjekin patrullat e kompanive të sigurimit fizik që t'i zënë duke pirë cigare gjatë shërbimit, ndërrimit, që t'ua zbresin një 50-she nga rroga në fund të muajit …

Megjithatë, do të ishte e pandershme t'i fusim të gjithë në një thes.

Jo i tërë sektori privat në Kosovë është abuziv me punëtorët dhe shtetin. Përkundrazi, ka Kosova punëdhënës dhe kompani në të cilat punëtorët trajtohen konform me Ligjin e Punës dhe paguhen e trajtohen dinjitetshëm.

Nejse.

Në Parlament e në studio televizive do të vazhdojë debati dhe akuzat për ikjen e te rinjve, për ikjen e trurit …

Akuzuan dje ata që sot janë në pushtet, akuzojnë sot ata që janë në opozitë.

Akuzues janë deputetë e ish-deputetët, ministra e ish-ministra, me nga 4-5 vende pune për vete që rehatuan nëpër poste udhëheqëse familjarët në vijën horizontale (fëmijë, vëllezër, motra e ndonjë kushëri) dhe vijën vertikale (vëllezër e motra të gruas, baxhanakët e fëmijët e tyre) …

Fort iu dhemb që po ikin të rinjtë, që po ik truri.

Punë e madhe pse po ikin ekspertët, mjekët, inxhinierët …

Para se t'i ik truri Kosovës, një pjese të madhe të kësaj shoqërie kaherë i është spastruar truri.

Klasës udhëheqëse politike të këtij vendi, asnjëherë nuk i është nevojitur truri as ekspertët.  Përkundrazi, truri, dija e rinisë së këtij vendi paraqet rrezik për ta, për logjikën e tyre të qeverisjes përmes dominimit dhe nënshtrimit.

Prandaj, duhet t'i ndjekin, t'i tretin sa më larg …

Qytetarët mund edhe ta kenë humbur shpresën se do të bëhet mirë në këtë vend. Por, Kosova është një vend i bukur dhe një parajsë e atyre që e kanë shndërruar në pronë të veten.

S'ka lidhje pse njerëzit duan të ikin prej saj. I gjejnë kur të kenë nevojë.

Po nime!

A i keni parë lëvizjet e fundit të zyrtarëve të dy ish-partive më të mëdha, LDK dhe PDK? Të kthjellur nga goditja që morën dhe të vetëdijshëm nga efekti diasporë për ardhjen e LVV-së në pushtet, i kanë shpeshtuar vizitat në Gjermani e Zvicër.

Po hapin degë e nëndegë.

S'kanë faj, sepse po migron vota.

Ju duhen veç votuesit.

E naltmadhninë e tij, votuesin, do ta keni gjithmonë derisa të mos ndryshojë mentaliteti i tij edhe prej skllavi politik.

Do t’i keni edhe në diasporë. Veç ju ruajeni kreativitetin tuaj prej mashtruesi. Kur të vjen koha për vota, dhezni motorët e sharjeve, akuzave të ndërsjella. S'keni nevojë të premtoni asgjë.

Dikujt do t’i dhezë karta e patriotizmit, tjetrit ‘hajnat në burg”.

Veç spiunët e bashkëpunëtorët e ish-regjimit mos i përmendni aman. Po del se kishin qenë "pjesa më vitale e çlirimit dhe shtetndërtimit"  dhe "ma shumë kishin punue për neve se për ata".

Nejse!

Kjo është Kosova jonë.

Rroftë diaspora!

The post Jo punëtorët, Kosovës po i ikin skllevërit appeared first on Telegrafi.



This post first appeared on Shqip, please read the originial post: here

Share the post

Jo punëtorët, Kosovës po i ikin skllevërit Telegrafi Opinione

×

Subscribe to Shqip

Get updates delivered right to your inbox!

Thank you for your subscription

×